09:10 / E Hënë, 06 Prill 2020

Barça “shënjestron” kapitenin e Milanit, ofron dy lojtarë në këmbim

Mediat spanjolle raportojnë se Barcelona ka “shënjestruar” kapitenin e Milanit, Alessio Romagnoli për repartin e mbrojtjes dhe ka nisur negociatat me klubin kuqezi, për të bërë të mundur transferimin gjatë muajve të verës.

Drejtuesit e klubit katalan kanë ndërmend të afrojnë një mbrojtës që luan me këmbën e majtë dhe Romagnoli është emri që përmbush këto kritere, pasi është edhe mjaft i disiplinuar e i fortë, përveç eksperiencës së madhe që ka mbi shpinë si mbrojtës dhe kapiten i Milanit.

Kontrata e Romagnolit me Milanin skadon në verën e 2022-shit dhe kuqezinjtë e vlerësojnë kartonin e tij rreth 50 milionë euro, shifër kjo që te Barcelona nuk kanë ndërmend ta paguajnë kesh, por janë gati të ofrojnë një apo dy lojtarë të këmbim.

Kështu emri i parë është ai i mesfushorit kroat Ivan Rakitic, që ndiqet prej vitesh nga kuqezinjtë dhe që mund t’u bashkohet në verë, ndërsa në konsideratë po merret edhe braziliani Rafinha, i cili ka luajtur 6 muaj me sukses me Interin, në vitin 2018.

Megjithatë vetë dëshira e Milanit është që të rinovojë kontratën e Romagnolit dhe ta blindojë për shumë vite në “San Siro”, por gjithçka do të varet nga vullneti i këtij të fundit, që duket se dëshiron të provojë eksperienca të reja dhe të fitojë tituj, gjë që kuqezinjtë nuk ia ofrojnë në të ardhmen e afërt. /IndeksOnline/