22:44 / E Shtunë, 27 Prill 2019 / indeksADMonline

Barça shpallet kampione në La Liga, e 8-ta herë brenda 11 viteve

Barcelona edhe matematikisht është shpallur kampione e La Liga për edicionin 2019/19.

Për herë të dytë radhazi dhe të 26-ën në histori të La Liga, skuadra katalane ka arritur të fitojë kampionati spanjoll, për të vërtetuar dominimin në këtë ligë, në dekadën e fundit.

Katalanët mposhtën me rezultatin minimal 1-0 Levanten në “Camp Nou”, duke hapur shampanjën e titullit para tifozërisë që ishte e shumtë në numër, në shkallët e stadiumit.

Lideri i ekipit, Lionel Messi ishte njeriu që shënoi golin 3-pikësh, me vlerën e titullit kampion mbrëmjen e sotme, teksa u aktivizua në pjesën e dytë dhe çoi topin në rrjetë në minutën e 62-të.

Argjentinasi bëri një sezon të jashtëzakonshëm, teksa ka shënuar 34 gola dhe ka asistuar 13 të tjerë, ndonëse kanë mbetur ende edhe 3 javë nga fundi.

Skuadra e drejtuar nga Ernesto Valverde dominoi kampionatin spanjoll, duke përfituar nga një sezon i dobët për Realin e Madridit dhe luhatjet e shumta të Atleticos së Madridit.

Tashmë katalanët do të përqendrohen në Ligën e Kampionëve, ku në mesjavë do të përballen me Liverpoolin, në sfidën e parë gjysmëfinale.

Barcelona ruan shanset për të bërë tripletë trofesh, pasi ka siguruar edhe finalen e Kupës së Mbretit, ku do të diskutojë trofeun me Valencian në finalen e 25 Majit. /IndeksOnline/