10:50 / E Diele, 26 Nëntor 2023 / Gj. Sh

Barcelona gjen zëvendësuein e Gavit, e zbulon Deco

Në përfundim të ndeshjes ndërmjet Rayo Vallecanos dhe Barçës në Vallecas, e cila përfundoi 1-1, drejtori teknik i “blaugranave”, Deco, konfirmoi blerjen e Vitor Roque-s (Atletico Paranaense) në merkaton e dimrit për të mbushur boshllëkun e krijuar nga dëmtimi i Gavit.

Portugezi nuk e garantoi njëqind për qind, në një intervistë në Danz, por e bëri të qartë synimin e klubit.

I pyetur se çfarë i ka kërkuar Xavi për të forcuar skuadrën pas dëmtimit të Gavit, Deco shpjegoi se “ne jemi të koordinuar. Ne gjithmonë flasim. Gavi është i pazëvendësueshëm, nuk mund të kemi një lojtar me këto karakteristika.

Nuk ka asnjë lojtar si ai sot në treg, aq më pak në janar. Me siguri Vitor Roque është ai ku mund të vëmë bast. Nuk është vendosur ende. Ne po flasim dhe mendoj se kjo do të jetë rruga që do të ndjekim.”

Për sa i përket ndeshjes, drejtuesi i lartë vuri në dukje përmirësimin e Barçës në pjesën e dytë.

“Ne luajtëm mirë në pjesën e dytë kundër një kundërshtari që lufton dhe punon shumë. Goli i tyre në pjesën e parë na kapi në befasi. Në të dytën e kishim më shumë kontrollin e topit.”