14:48 / E Martë, 30 Prill 2019 / indeksADMonline

Bashkëshorti i mësueses së therur me thikë: Prindi ishte me probleme psikike

Familjarët e Vlora Paci- Neziri, e cila u ther sot me thikë në shkollën ‘7Marsi’ në Prishtinë, shprehen të tronditur lidhur me rastin dhe thonë se nëna e nxënësit që e sulmoi mësuesen ishte me probleme psikike.

Vlora Paci- Neziri sot është therë me thikë nga një prind, pas një përleshje fizike, ndërkohë që gjendja e saj shëndetësore është stabile dhe jashtë rrezikut për jetë.

Bashkëshorti i saj, Mehidin Neziri, shpreson që raste të tilla të mos përsëriten në të ardhmen.

Mjekët në QKUK thonë se gjendja shëndetësore e mësueses së therur me thikë ka qenë e rëndë kur është sjellë për trajtim në këtë institucion shëndetësor. Dafina Basholli, specialiste e mjekësisë emergjente, thotë se gjendja aktuale e saj shëndetësore është stabile.

Lidhur me rastin janë deklaruar edhe punëtorët teknikë, të cilët prapa kamerave kanë konfirmuar se personi që ka sulmuar me thikë mësuesen është nënë e një nxënësi me inicialet B.D. e moshës 38- vjeçare.

E Florije Mustafa, prind, thotë se është e shqetësuar lidhur me rastin dhe e ka të vështirë të dërgojë  fëmijët e saj në këtë shkollë, pas këtij rasti. Ndryshe, B.D. është arrestuar nga policia e Kosovës, e cila pritet të fillojë hetimet lidhur me rastin që ka tronditur qytetarët.