20:38 / E Martë, 30 Prill 2024 / MSH

Batatina reagon pas vendimit të FFK-së: Do t’i gëzoj Llapin e Gollakun, jemi njerëz, kemi ndjenja e emocione

FFK ka dënuar trajnerin e Llapit, Tahir Batatinën, me tri ndeshje mos pjesëmarrje në to.

Dënimi vjen pas rrëmujës së krijuar pas ndeshjes Dukagjini-Llapi, në xhiron e 29-të të Superligës, raporton Indeksonline.

Sipas FFK-së, Batatina ka pasur sjellje josportive pas ndeshjes, andaj edhe është dënuar me ndalim të pjesëmarrjes në tri ndeshje, si dhe me 500 euro gjobë.

Lidhur me këtë vendim, Batatina ka thënë për Indeksonline se ka bërë ankesë në shkallë të dytë, ankesë kjo që shpreson të jetë në favorin e tij.

Ai tashmë nuk ka qenë prezent në ndeshjen që Llapi zhvilloi me Prishtinën.

“Sido që të jetë, unë do vazhdoj ta bëj punën time me nder dhe korrektësi dhe me shumë profesionalizëm. Ne jemi njerëz, kemi ndjenja, kemi emocione pas ndeshjes dhe duhet të kuptohen nga të gjithë akterët. Jam shumë krenar me atë që kam arritur me Llapin dhe futbollin e Kosovës sepse për 13 vite kemi bërë revolucion në futboll, kemi ndryshu në mentalitet, në organizim, në strukturim, në profesionalizëm, në kulturë sportive” ka thënë Batatina për Indeksonline.

Kryetrajneri i Llapit deklaroi se nuk i pengon ky vendim dhe se ka besim të plotë te skuadra e tij, ndonëse mendon se vendimi nuk është analizuar mirë.

“Nuk më pengon mua as skuadrës time ky vendim. Unë do të jem ende më i fortë dhe do t’i gëzoj të gjithë Llapin dhe Gollakun, por edhe gjithë adhuruesit e futbollit tim. Kam besim te djemtë që unë i udhëheq me nder dhe krenari. Së shpejti edhe shtetin tim do ta kualifikoj në kompeticione evropiane dhe botërore, sepse këtë e kam mision pas Llapit. Mendoj se nuk e kanë analizuar mirë shkalla e parë.

Pres që Komisioni i shkallës së dytë të marrë vendim në favorin tim, sepse asgjë s’ka qenë josportive. Shumë normale, pas çdo ndeshje në botë, tensione ka dhe nervozizëm ka, por nuk ka qenë asgjë për t’u marrë ky vendim” përfundoi Batatina./Indeksonline/