23:36 / E Shtunë, 28 Nëntor 2020 / M. M

BE: Babagjyshi i Krishtlindjeve do të përjashtohet nga kufizimet e udhëtimit të Covid-19

“Babagjyshi i Krishtlindjeve” do të lejohet të udhëtojë lirshëm nëpër Bashkimin Europian pavarësisht nga kufizimet COVID-19 të vendosura në të gjithë bllokun, konfirmoi Brukseli.

I pyetur për të siguruar fëmijët se Santa Claus do të jetë në gjendje të kalojë kufijtë lirshëm për t’u sjellë atyre dhuratat e tyre, Margaritis Schinas, Nënkryetari i BE për Promovimin e Mënyrës tonë Europiane të Jetës, tha se Komisioni Europian “mund të ofrojë këtë siguri”.

“Ne ramë dakord me udhëheqësit fetarë që kjo të ishte një çështje e lëvizjes ndërkufitare – Shën Nikolla, Pere Noel, Babbo Natale, Reyes Magos, Agios Vassilis – ata të gjithë do të jenë në gjendje të dorëzojnë dhuratat. Europianët e rinj me të gjitha besimet duhet të kenë bindjen se dashuria dhe shpresa nuk do të mungojnë kurrë në Europë në këto ditë, “tha ai.

Vende të ndryshme anëtare të BE, duke përfshirë Austrinë, Francën, Gjermaninë dhe Mbretërinë e Bashkuar, aktualisht kanë bllokime kombëtare të vendosura të cilat do të hiqen në fillim ose në mes të dhjetorit, por kufizimet e rrepta do të zbatohen ende.

Populli francez u paralajmërua nga Presidenti Emmanuel Macron në fillim të kësaj jave për t’u përgatitur për “një Krishtlindje jo si të tjerat”. Dyqanet në vend lejohen të rihapen të Shtunën, por njerëzit duhet të vazhdojnë të kufizojnë lëvizjen e tyre dhe t’i justifikojnë ato deri në 15 Dhjetor. Megjithatë, një shtetrrethim në mbrëmje do të zbatohet ende dhe baret dhe restorantet duhet të qëndrojnë të mbyllura deri të paktën 20 Janar .

Kryeministri britanik Boris Johnson gjithashtu ka theksuar se “Krishtlindjet nuk do të jenë normale”. Anglia do të dalë nga bllokimi i saj në 1 Dhjetor dhe të lëvizë nën një sistem me shumë nivele me kufizime të vendosura në nivelin lokal bazuar në situatën epidemiologjike./Euronews