75 Mall Live Search
23:56 / E Premte, 11 Tetor 2024 / FR

BE do të vendosë sanksione të reja ndaj Iranit

Bashkimi Evropian (BE) do të vendosë sanksione të reja kundër individëve dhe entiteteve të lidhura me Iranin në fillim të javës së ardhshme, burime të ndryshme i thanë Radios Evropa e Lirë (REL) më 11 tetor.

Sipas tri burimeve evropiane që folën për REL-in në kushte anonimiteti, pritet që sanksionet të miratohen më 14 tetor dhe me shumë gjasë do ta përfshijnë edhe kompaninë ajrore iraniane, Iran Air.

Një burim theksoi se ambasadorët e BE-së tashmë e kanë dhënë dritën jeshile paraprake për këtë më 9 tetor.

“Po, sanksionet do të vendosen të hënën si përgjigje ndaj dërgesës dhe ka mundësi që më pas të ketë edhe sanksione sektoriale”, i tha një burim tjetër RER-it, duke iu referuar transferimit të raketave balistike iraniane në Rusi.

Pas akuzave të Shteteve të Bashkuara, Britanisë, Francës dhe Gjermanisë ndaj Iranit për furnizimin e Rusisë me raketa para rreth një muaji, tri vendet evropiane njoftuan planet e tyre për të vendosur sanksione ndaj Iran Air, linjës ajrore shtetërore.

Në atë kohë, Ministria e Jashtme e Gjermanisë i tha REL-it se aleatët evropianë po punon mbi këtë çështje.

Iran Air kryen fluturime të drejtpërdrejta në disa qytete të Evropës, përfshirë Frankfurtin, Hamburgun, Këlnin, Parisin dhe Milanon.

Mundësia e sanksioneve të reja të BE-së vjen vetëm disa ditë pasi Peter Stano, zëdhënësi i BE-së, i tha RER-it se ishte “optimist” për marrëdhëniet e BE-së me Iranin.

Stano theksoi se marrëdhëniet e BE-së me Iranin “kanë qenë për një kohë të gjatë në pikën më të ulët” nënvizoi se arsyeja më freskët është mbështetja që Irani ia ka dhënë Rusisë në pushtimin e jashtëligjshëm të Ukrainës, duke e furnizuar me dronë dhe rishtazi edhe me raketa.

Shtypja në Iran, ndalimi arbitrar i qytetarëve të BE-së dhe pasurimi i uraniumit janë faktorë të tjerë që kanë bërë që marrëdhëniet e republikës islamike me BE-në të bëhen “të ndërlikuara” dhe “të ndjeshme”, sipas Stanos./REL/