20:19 / E Enjte, 06 Shtator 2018 / indeksADMonline

BE: Paraburgimi i emigrantëve të shfrytëzohet për identifikim

Emigrantët që zbarkuan nga anija “Diciotti”, 50 të tillë që tashmë rezultojnë të arratisur pas transferimit të tyre në qendrën “Rocca di Papa” të Romës, “mund të ishin mbajtur në qendra paraburgimi për të evituar largimin e tyre”.

Kjo është deklarata e zëdhënësit të Komisionit të Bashkimit Europian për Emigracionin, Tove Ernst.

“Kemi qenë të qartë kur theksuam se, nëse nevojitet, paraburgimi mund të shfrytëzohet për të lehtësuar dhe përshpejtuar identifikimin e emigrantëve dhe për të shmangur arratisjen e tyre”, shton më tej ai.

Në reagimin e tij, Ernst ka sqarur më tej edhe rregullat e Bashkimit Europian.

“U kemi kërkuar të gjitha shteteve anëtare, përfshi Italinë, të ngrejnë qendra pritjeje të përshtatshme, të cilat përfshijnë edhe ambiente paraburgimi. Kur bëhet fjalë për të parandaluar fshehjen e personave të caktuar, atëherë edhe paraburgimi është opsion, edhe në rastet kur ata kanë marrë një urdhër riatdhesimi apo gjatë procedurave të azilit, me qëllim që t’i plotësojnë deri në fund ato. Ua kemi kërkuar këtë gjë të gjitha vendeve anëtare, përfshi Italinë”, tha ai.