23:41 / E Diele, 18 Tetor 2020 / C E

Begolli: Prishtina do luftojë për titullin kampion, si vendas nuk do humbim

Drejtori Sportiv i Prishtinës, Granit Begolli është i ftuar në Duelin Sportiv.

Ai pati disa fjalë për dygolëshin e sulmuesit të Prishtinës, Otto John.

“Na gëzon fakti që ka shënuar Otto John, kjo pasi kemi ndeshje shumë të vështira në vazhdim me Feronikelin, Gjilanin dhe Ballkanin”- tha fillimisht ai.

Drejtori Sportiv shpreson që Prishtina ka kaluar krizën dhe se tani do të shihet forca reale e skuadrave.

“Besoj se tani do të shihet forca reale e skuadrave, ne do të mundohemi të mos gabojmë në këto ndeshje pasi kundërshtari mund të largohet shumë me pikë, ne kemi bërë disa gabime dhe shpresoj që të kemi kaluar krizën tonë”- u shpreh drejtori sportiv i Prishtinës.

Begolli thotë se kryeqytetasit do luftojnë për titullin kampion, por për të arritur tek kjo duhet që skuadra t’ia bëjë hyzmetin.

“Sigurisht që Prishtina do të luftojë për kreun e tabelës dhe për titullin kampion, e sigurisht që duhet t’ia bëjmë hyzmetin në ndeshjet me skuadrat e tjera të forta dhe të mos humbim, po flas për ndeshjet si mysafir pasi si vendas nuk do të diskutohet dhe do futemi vetëm për fitore” – përfundoi Begolli.

Prishtina fitoi 4-0 ndaj Besës së Pejës në ndeshjen e vlefshme për javën e gjashtë.