17:00 / E Enjte, 28 Dhjetor 2017 / indeksADMonline

Bekim Jashari: E tmerrshme se çfarë raportuan për mua, kjo është e vërteta!

Kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari ka reaguar ndaj disa raportimeve të mediave lidhur me punën e tij sa ishte në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës.

Sipas tij, ky artikulli i botuar, në mënyrën më të pandershme, implikon emrin e mbiemrin tim si i dyshuar për keqpërdorime.

“Artikulli përmban një varg të pavërtetash dhe gjysmë të vërteta, të cilat tentojnë të mjegullojnë personalitetin tim nga supozime krejt të paqëndrueshme”, ka thënë ai.

Postimi i plotë:

Reagim ndaj artikullit të botuar në “Gazeta Express”, më 24.12.2017

Reagim ndaj artikullit të botuar më 24 Dhjetor 2017, në gazetën Express, autor Visar Duriqi, me titull “Hetuesit e BE-së: Aeroporti i pasigurt, dyshime për keqpërdorime financiare nga Bekim Jashari”

Artikulli i botuar, në mënyrën më të pandershme, implikon emrin e mbiemrin tim si i dyshuar për keqpërdorime.

Artikulli përmban një varg të pavërtetash dhe gjysmë të vërteta, të cilat tentojnë të mjegullojnë personalitetin tim nga supozime krejt të paqëndrueshme.

Gazeta në krye të lajmit thekson se “në këtë raport që e ka Express, hetuesit dyshojnë se edhe një firmë ndërtimore e afërt me drejtuesit kosovarë të Aeroportit “Adem Jashari” është themeluar me para të keqpërdorura nga projektet shtetërore”.

E tmerrshme. Mbi këtë dyshim që thekson vet gazetari, ndërtohet titulli që tenton të fyej emrin dhe personalitetin tim.

Artikulli është ndërtuar me supozim rreth punës time, dhe si të tillë e hedh poshtë si të pavërtetë, të gjitha ato që lidhen me emrin tim, sepse, nuk kam të bëj fare me pjesët e raportit ku flitet as për gjenerator, as me rastin e zyrtarit të lartë amerikan.

Nuk kam të bëj me ato që përmenden në lidhje me Drejtorin e Agjencisë për Shërbime të Navigacionit Ajror (AShNA), Bahri Nuredinin as me “gjeneratorin e dytë”, apo “sigurinë e aeroportit”.

Ka dy vjet që nuk jam pjesë e menaxhmentit në aeroport, e as në çfarëdo cilësie. Emri im i lidhur në çfarëdo manipulimi në cilëndo çështje si ajo e ngritur pranë EULEX-it, që tenton artikulli ta lidh me emrin tim, e hedh poshtë si tendencioz.

Manipulimin financiar duhet ta raportoj, ta hulumtoj dhe ta ndëshkoj ligji, jo media.

I ftoj institucionet relevante, të hulumtojnë secilin konstatim të ciltdo raport, por, supozimet nuk duhet të jenë bazë e titullit dhe mesazhit fyes në medie.

Ftoj hetuesit edhe vendor edhe evropian, të sqarojnë raportet e tilla, kush merr e kush bashkëpunon me institucionet tona, çfarëdo tenderi apo manipulimi.

Ndërsa më shumë se tragjik por për fat të keq, sërish lidhet me dyshime. Këtë e thotë gazetari, duke mos marrë mundimin të më kontaktoj dhe verifikoj çfarëdo qoftë rreth pronës time, qoftë edhe duke parë deklarimin tim të pasurisë. Përfundimi është edhe më qesharak ku përmendet se firma ndërtimore “Premium group”, ku jam aksionar, në mënyrë arbitrare dhe skajshmërisht të pandershme, gazeta sjell përfundime absurde të një raporti të panjohur për mua “se paratë për këtë biznes profitabil mund t’i kenë marrë nga ndonjë projekt në Aeroport”.

Në këtë konstatim plotësisht të pasaktë, po i veçoj dy fjalë arbitrare e hipotetike “mund” dhe “ndonjë”. Kjo nuk do koment.

Ftoj organet dhe institucionet e hetuesisë vendore e ndërkombëtare, institucionet ekzekutive, legjislative dhe gjyqësore, të verifikojnë çfarëdo denoncimi, duke mos lejuar asnjë tendencë arbitrare për të njollosur emrin dhe personalitetin tim, jo vetëm sa kam qenë pjesë e menaxhmentit të aeroportit, por edhe më heret por edhe më vonë.

Ftoj po ashtu, të hulumtohet çfarëdo lidhje, politike apo jopolitike që dëmton vendin apo pronën e kujtdo qoftë, duke vepruar me parimin themelor të drejtësisë- askush mbi ligjin. Sigurisht, edhe kushdo që pengon ndriçimin e të vërtetes rreth çfarëdo keqpërdorimi, duhet të përgjigjet para ligjit.

Ndërsa për akuzat hipotetike të promovuara në medium, ku autor është Visar Duriqi, po këshillohem me avokatin se a do të ngre padi, sepse gazetari as nuk më ka kontaktuar, as më është dhënë rasti të deklarohem për supozimet ndjellakëqija të kujtdoqoftë.

 

Me nderime,

 

Bekim Jashari