Bekim Jashari krah Agim Bahtirit, kundër ndarjes së Mitrovicës
Nismës së kryetarit të Mitrovicës, Agim Bahtiri, për kundërshtimin e ndarjes se Mitrovicës dhe shkëmbimit të territoreve i është bashkuar edhe kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari.
Ky i fundit, në një komunikatë dërguar mediave, ka shprehur mbështetjen e tij të plotë në lidhjen me iniciativën e kryetarit të Mitrovicës.
“Ndarja e Kosovës është e papranueshme prandaj ne të gjithë së bashku duhet të mobilizohemi dhe të angazhohemi për ruajtjen e tërësisë territoriale të Kosovë dhe për respektimin e kushtetutës së Republikës së Kosovës”, ka thënë kryetari Jashari.
Në lidhje më këtë ka folur edhe i pari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, që ka shprehur mirënjohjen e tij ndaj Jasharit, i cili e mbështeti atë në mosndryshimin e kufinjve administrativ të komunës me të cilën ai udhëheq.
Bahtiri dje organizoi një tryezë me liderët politikë dhe përfaqësues të shoqërisë civile rreth tendencave për ndarjen e Mitrovicës. Këtu pjesëmarrësit u shprehen qartë kundër idesë për ndarjen e mundshme të Kosovës apo shkëmbimin e territoreve.