22:33 / E Martë, 22 Janar 2019 / indeksADMonline

Belegu: Politika 20 vjeçare e dëgjueshmërisë ndaj aleatëve, na ka sjell në këtë gjendje

Këshilltari i kryeministrit Haradinaj, Eroll Belegu, ka thënë se Haradinaj do të ishte njeriu i fundit që do t’i prishte raportet e Kosovës me SHBA-në.

Belegu, në RTV Dukagjini ka thënë se taksa prej 100 për qind për importin e mallrave nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina nuk është drejtuar ndaj SHBA-së apo BE-së, por ndaj Serbisë.

“Taksa është kundër një shteti, eventualisht dy. Natyrisht komuniteti ndërkombëtar dëshiron të normalizojë raportet me këto dy shtete”.

Këshilltari i kryeministrit Haradinaj ka thënë se politika 20 vjeçare që ka ndjekur Kosova për të qenë të dëgjueshëm e ka sjell vendin në këtë gjendje.

“Politika jonë që 20 vjet, me qenë Kosova të dëgjueshëm dhe të dëgjojmë aleatët tonë gjithmonë na ka sjell në këtë gjendje, sa i përket statusit të Kosovës”.

Belegu ka thënë se vendimi për taksën nuk ka qenë personal i Haradinajt, por i Qeverisë. Prandaj, sipas tij, Haradinaj nuk ka asgjë kundër me SHBA-në.

Këshilltari i kryeministrit Haradinaj ka thënë se vendimi për të taksuar edhe brendet ndërkombëtare që prodhohen në Serbi, mund të ketë ndikuar që të reagojnë edhe shtetet perëndimore.