16:05 / E Diele, 07 Gusht 2022 / AR

Bella Hadid flet për raportin me alkoolin dhe të gjithë mund ta gjejnë veten në rrëfimin e saj

Në një pikë të jetës, një pjesë e madhe e njerëzve hasen me ulje-ngritje dhe shpesh gjejnë ngushëllim tek alkooli.

Dikur, ishte një tabu të flisje për këtë, por sot, falë rrjeteve sociale, ndikimit të personazheve të famshme dhe shumë faktorëve të tjerë, mund të flitet haptazi, të shkëmbehen informacione, përvoje dhe këshilla.

Listës së personazheve që kanë folur për raportin me alkoolin i shtohet edhe supermodelja Bella Hadid, e cila në një bashkëbisedim për “InStyle” foli për jetesën e saj dhe mënyrën si e sheh marrëdhënien me alkoolin në ditët e sotme.

Bella rrëfeu se më parë “gjente ngushëllim” tek alkooli për të luftuar ankthin, por sot i jep prioritet mënyrës si ndihet mendja e saj. “Gjatë viteve e kam gjetur veten duke u rikthyer tek alkooli, kur përballem me mungesën e energjisë apo kur më kap ankthi. Kam ulur ndjeshëm konsumin e alkoolit këtë vit dhe po vendos mendjen time të parën”, tha ajo.

Bella tha se “masa” është gjithçka për të. Ajo konsumon alkool në mënyrë të moderuar. “Dehem shumë rrallë”, u shpreh ajo dhe e pranoi se pi alkoolin që përballon trupi i saj. “Jam ajo vajza që pi një gotë shampanjë dhe shkon në shtëpi”, shtoi Bella dhe në fakt, po të gjithë mund ta gjejmë veten në këtë rrugëtim. 

Bella, ashtu si shumë vajza të tjera ka folur gjithnjë hapur për problemet e saj me ankthin dhe rishtazi, edhe për “varësinë ndaj alkoolit”, duke thyer stigmën e pranimit të sfidave dhe varësive, sidomos prej vajzave dhe grave. Për këtë, janë shprehur edhe Anne Hathaway, e cila prej 18 vitesh nuk konsumon alkool, apo Chrissy Teigen, e cila ndau në Instagram lajmin se festonte 1-vjetorin pa alkool.