10:35 / E Martë, 22 Dhjetor 2020 / B O

Bentley nga viti i ardhshëm kalon nën menaxhim të Audi-së

“Bentley”-t nuk i ngutet për prodhimin e veturës së saj të parë elektrike pasi që kjo kompani nuk është e kënaqur me teknologjinë e tashme të baterive.

Kjo kompani dëshiron që vetura e ardhshme elektrike e saj të “ketë vlera luksoze moderne” dhe kalimi nën menaxhim të “Audi”-së shihet si lëvizje pozitive nga shefat e “Bentley”-t.

Adrian Hallmark është i lumtur me transferimin e ri që “Volkswagen Group” është duke bërë, duke e kaluar “Bentley”-n nën kontroll të “Audi”-së, në vend të “Porches” që është tani.

“Ne do të kemi bashkëpunim me “Audi”-në në 5 deri 10 vjetët e ardhshëm më shumë se sa që kishim me “Porschen”, pasi “Porsche” është veturë sportive, e ne jemi më të fokusuar në luks se sa në performanca”, ka thënë Hallmark.

Kalimi nën kontroll të “Audi”-së, do të thotë që nga 1 marsi 2021, prej kur kjo kompani do të kalojë nën kontroll të “Audi”-së, “Bentley”, do të përdorë të tjera platforma të reja, që do t’i mundësojë asaj zhvillimin më të shpejtë të veturës elektrike.