15:18 / E Premte, 24 Nëntor 2017 / indeksADMonline

Berisha pas takimit me Xhaçken: Prioritet i Qeverisë, transformimi i FSK-së

Ministri i Ministrisë për Forcën e Sigurisë së Kosovës,  Rrustem Berisha priti sot në një vizitë zyrtare ministren e Mbrojtjes të Republikës së Shqipërisë, Olta Xhaçka me ceremoni ushtarake.

Fillimisht, ministri Berisha dhe ministrja Xhaçka zhvilluan një takim kokë më kokë dhe më pastaj vazhduan takimin bilateral së bashku me delegacionet e tyre, ku u bisedua për bashkëpunimin dhe marrëdhëniet e mira në mes të dy ministrive.

 Me këtë rast, ministri Berisha ka falënderuar homologen për bashkëpunimin dhe ndihmën e vazhdueshme që Ministria e Mbrojtjes së Shqipërisë ka dhënë dhe po jep FSK-në, si dhe e ka njoftuar atë për zhvillimin dhe të arriturat e përgjithshme të FSK-së, transformimin e FSK-së në ushtri si dhe për bashkëpunimin rajonal dhe partneritetin strategjik të FSK-së me NATO-n.

 Ndërsa ministrja Xhaçka ka përgëzuar ministrin për arritjet e përgjithshme të FSK-së, si dhe njëherësh premtoi vazhdimin dhe intensifikimin e zhvillimit të marrëdhënieve të shkëlqyera edhe në të ardhmen dhe përkrahjen në integrimet në Aleancën Veri Atlantike.

Pas takimit të përbashkët të dy delegacioneve, në konferencën për media, ministri Berisha pos tjerash tha: “Jam i nderuar që sot kemi në mesin tonë një mysafirë të veçantë, ministrja e Mbrojtjes së Shqipërisë, znj.Olta Xhaçka së bashku me delegacionin që e shoqëron, të cilën e njoftova me të arriturat e përgjithshme të FSK-së”. 

Në fillim ministri Berisha tha:“ Ministren Xhaçka e informova se ndër prioritet e Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe MFSK-së janë forcimi i institucioneve të sigurisë dhe në këtë kuadër edhe transformimi i FSK-së në FAK, përmes ndryshimeve kushtetuese, në bashkëpunim të ngushtë me gjithë faktorët politik vendor, e në koordinim të plot me partnerët tanë ndërkombëtar dhe NATO-n.

Gjithashtu, ministri Berisha tha se: “Barazia gjinore përbën një segment shumë të rëndësishëm ku rreth 8% e gjinisë femërore bëjnë pjesë në FSK, gjithashtu rëndësi të veçantë i kemi kushtuar edhe përfaqësimit të komuniteteve jo shumicë, ku aktualisht FSK-ja ka tejkaluar kuotën prej 10%.

Një kontribut të madh FSK-ja ka dhënë në operacionet e kërkim-shpëtimit jashtë shtetit, dhe kemi shprehur gatishmërinë në çdo kohë të ju ndihmojmë edhe vendeve tjera me kapacitetet tona operacionale.

Në këtë drejtim ministri vlerësoi lartë opinionin publik, në të gjitha sondazhet e realizuara, ku MFSK dhe FSK-ja janë vlerësuar si institucioni më të besueshëm në vend.

Kurse në fund, ministri Berisha tha se gjatë këtij viti nga 27 aktivitetet e planifikuara nga Plani Bilateral me Ministrinë e Mbrojtjes së Shqipërisë, janë realizuar 22 prej tyre. Këto aktivitete kanë qenë të fokusuara në fushën e shkollimit dhe edukimit, shkëmbimit të eksperiencave në fushën e doktrinës, standardizimit, aspektet ligjore fushën e aviacionit. Kurse për vitin 2018 kemi planifikuar gjithsej 25 aktivitete të përbashkëta. .

Ndërsa ministrja Xhaçka tha se është ndjesi e veçantë të jesh në Prishtinë në këtë kohë të festave të nëntorit. Ajo tha se falënderova zotin Berisha për pritjen e ngrohtë dhe vëllazërore. “Unë besoj se bashkëpunimi është alternativë që garanton suksese, ndaj edhe fokusi i takimit tonë ishte pikërisht rritja e bashkëpunimit në fusha që janë në interes të dyja shteteve tona dhe që i kontribuojnë stabilitetit e prosperitetit në gjithë rajonit tonë. Ashtu si në Tiranë e sigurova kolegun Berisha, se ne do vijojmë të mbështesim Kosovën dhe Forcën e saj të Sigurisë në rrugën e integrimit Euro-Atlantik. Eksperienca jonë, sidomos ajo e integrimit në NATO, do vijojë të përcillet me profesionalizëm e kompetencë tek kolegët e vëllezërit tanë të Kosovës”.

Në fund, ministrja Xhaçka tha: Kosova dhe Shqipëria e ndajnë të njëjtën “ëndërr” atë të integrimit Euro-Atlantik, të tyre dhe të gjithë Ballkanit Perëndimor.

Sa i takon të transformimit të Forcës së Sigurisë për Kosovë, e sigurova zotin Berisha se Shqipëria e sheh atë si një proces të bazuar në kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe në bashkëpunim e bashkërendim me partnerët tanë ndërkombëtar. Nuk duhet të mungojë për asnjë moment besimi tek vendet aleate dhe ato partnere, të cilat kanë dëshmuar ndër vite angazhimin më serioz me politikën e tyre të dyerve të hapura. Kosova është gati tashmë të ecë përpara në rrugën e pakthyeshme të integrimit Euro-Atlantik.

Më pastaj ministrja e Mbrojtjes të Republikës së Shqipërisë, Xhaçka realizoi një vizitë edhe në Qendrën për Studime Universitare të FSK-së, ku në këtë qendër studiojnë edhe disa kadetë nga Republika e Shqipërisë.

Në takimin e përbashkët të pranishëm ishin edhe zëvendësministri Brahim Mehmetaj, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, sekretari i përgjithshëm Shkëlzen Sylaj, gjeneral brigade Gëzim Hazrolli, Jashar Ramadani, koloneli Fadil Hadërgjonaj,  Zoja Lleshi, dhe nënkolonel Enver Dugolli, atashe ushtarak i FSK-së, në Republikën e Shqipërisë, ndërsa ministren e Mbrojtjes së Shqipërisë e shoqëronin: Qemal Minxhozi, ambasador, Igli Hasani, znj. Belioza Çoku, gjeneral brigade Nazmi Cahani, kolonel Ahmet Leka dhe zyrtarë tjerë të dy delegacioneve.