13:33 / E Shtunë, 27 Shkurt 2021 / Blerim

Besa e Pejës vazhdon me organizimin e shkëlqyer, dërgon juniorët në fazë përgatitore

Klubi Futbollistik “Besa” nga Peja mund të mos i ketë rezultatet momentale në kampionatin elitar, mirëpo e ka krijuar organizimin e brendshëm, i cili është për çdo lavdatë.

Që nga ardhja e menaxherit të njohur shqiptar Ylli Kullashi në krye të klubit, pejanët kanë ndryshuar shumë gjëra, teksa po dallohen nga të tjerët në futbollin kosovar.

Përpos kushteve të krijuara për punë në skuadrën e parë, pejanët janë duke menduar edhe për akademinë dhe të ardhmen e futbollistëve të rinj. Së fundmi klubi ka vendosur t’i dërgoj në fazën përgatitore ekipin e 19 vjeçarëve, të cilët udhëhiqen nga trajneri i njohur Valdet Shoshi.

“Të kuqtë” tashmë janë zhvendosur në bregdetin shqiptar të Durrësit për të vijuar me fazën përgatitore para fillimit të stinorit pranveror, i cili pritet të fillojë në mesin e muajit mars.

Së bashku me skuadrën ndodhet edhe Fetim Kasapi, ish-futbollisti legjendar i këtij klubi, i cili aktualisht e ushtron detyrën e skautit.

Por, së fundi pjesë e Besës është bërë edhe supertalenti kosovar, Blerjon Avdimetaj. 16 vjeçari është pjesë e grupmoshave të Kosovës ka udhëtuar me talentët e Besës në Shqipëri.

Besa me ekipin e 19 vjeçarëve ndodhet në pozitën e shtatë të renditjes tabelare me 25 pikë të grumbulluara.