22:05 / E Enjte, 09 Janar 2020

Beteja e Peranit, betejë e krenarisë së luftës së UÇK-së

Shkruan: Ylber Çitaku

Në përvjetorin e 21-të!

Dita 9 janar 1999 ishte ditë e shtunë, një ditë e ftohtë e me borë

Para 21 viteve, pikërisht në këtë ditë, forca të mëdha serbe ia kishin mësyrë grykës së Llapit, të cilave po u printe gjenerali Bojoviq, i biri i Milanit, me prejardhje nga fshati Peran. E fshati Peran gjendet në pjesën veriore, 2.5 km larg nga qyteti i Podujevës.

Në drejtim të grykës së Llapit, atë ditë xhipat ngjyrë portokalli të OSBE-së provuan t’i ndalin forcat serbe në hyrje të fshatit, ngase zyrtarët e OSBE-së vetëm pak ditë më parë i kishin vizituar pozicionet e togut “Ulpiana 34”, të vendosura në fshatin Peran. Ata ishin në dijeni për vendosmërinë e ushtarëve të UÇK-së që forcat serbe nuk mund të kalojnë drejt grykës së Llapit, rrjedhimisht bënë edhe përpjekjen e fundit për t’i ndalur pa gjakderdhje.

Dy javë më herët, në Betejën te Tabet e Llapashticës forcat serbe kishin dështuar për të depërtuar deri te tek Shtabi i Zonës, andaj ata kishin ndarë mendjen që me çdo çmim dhe me çdo kusht të depërtojnë në këtë pjesë të Llapit, prandaj me tanke zhvendosen xhipat ngjyrë portokalli të OSBE-së, të cilët ishin vendosur tërthorazi në rrugë me qëllim të ndalimit të forcave serbe, zhvendosjen e këtyre xhipave e bënë me arrogancë e agresivitet të paparë, veprim ky që kishte për qëllim t’i arrijë dy efekte: demonstrimin e forcës dhe frikësimin e ushtareve të togut “Ulpiana 34”, te cilët kishte disa javë që ishin vendosur në këtë fshat. Por, ky agresivitet i forcave serbe nuk e arriti efektin e synuar, përkundrazi pati efekt të kundërt, sepse morali tek ushtarët e UÇK-së veç sa u rrit edhe më shumë.

Beteja filloi pak minuta para orës 10, ndërkaq luftimet ishin të ashpra, e forcat serbe ishin të pajisura me tanke, me autoblinda dhe me mjete tjera që llogariten si artileri e rëndë, kurse ne ushtarët e UÇK-së me çfarë kishim, e sa i përket armatimit e kishim një gulinov, dy pushkamitraloza, dy snajperë, dy mortaja dore, dy zola dhe një numër të konsiderueshëm pushkësh, por mbi të gjitha e kishim vendosmërinë. Duhet cekur se pozicionet tona ishin goxha të volitshme, transhetë-istikamet, edhe pse te baltosura, ishin hapur nga banorët e fshatit Peran dhe fshatrat përreth, për ç’gjë fshatarët e meritojnë një falënderim të veçantë.

Luftimet e pandërprera zgjaten deri në orën 15, e deri në këtë kohë ne i kishim dy të vrarë, kurse forcat serbe, sipas shënimeve të Spitalit në Podujevë, i kishin 9 të vdekur dhe rreth 30 të plagosur (duhet cekur se një numër i ushtarëve e policëve serbë të vrarë e të plagosur janë bartur drejtpërdrejt në Prishtinë, kurse një numër i vogël në Kurshumli, prandaj për numrin e tyre nuk kemi informacion), kurse humbjet në teknikë ushtarake nga forcat serbe ishin një tank dhe dy autoblinda.

Rreth orës15:00 komandanti i brigadës 152, duke e parë shpërputhjen në armatim dhe në numër të ushtareve, por edhe duke e ditur se istikamet në pozicionet e dyta ishin shumë më të volitshme për mbrojtjen e jetës së ushtarëve, sepse ishin hapur me buldozer, nëpërmjet radiolidhjes dha urdhër që të tërhiqemi në pozicionet e dyta, e pasi në kohë lufte urdhri i eprorit nuk diskutohet, por vetëm zbatohet, ashtu edhe vepruam. Në pozicionet e dyta nga Shtabi i Zonës, ndër të tjerë, erdhi edhe komandant “Fati”, në fakt ai e kishte ndihmuar togun nga një pozicion goxha i vështirë, kurse disa orë më parë ai ishte pozicionuar në një luginë në pjesën jugperëndimore të togut “Ulpiana 34”.

Komandant “Fati”, pasi e shpërndau nga një cigare për ushtarët me një maturi, m’u drejtua me pyetjen se përse ushtarët janë mrrolur, ndërsa përgjigjja ime ishte e menjëhershme se ushtarët nuk kanë qenë të gatshëm t’i lëshojnë pozicionet e para me asnjë kusht, kurse pa u menduar dy herë komandant “Fati” na pyeti nëse ekemi vullnetin dhe gatishmërinë që të kthehemi në pozicionet e para.Unë i kërkova dy-tre minuta kohë derisa të konsultohem me shokët, e atëherë e kuptova se të gjithë ushtarët ishin të vendosur për këtë hap, përkatësisht për t’u kthyer në pozicionet e para.

Pasi u njoftua për synimin, komandanti i Brigadës e dha lejen për kthimin në pozicionet e para, duke e njohur terrenin, dhe nëpërmjet një strategjie, por edhe me vendosmëri, ne arritëm që para orës 17 t’i kthejmë pozicionet tona, pra pozicionet e para, edhe përkundër luftimeve pothuajse të përditshme dhe përpjekjeve të vazhdueshme të forcave serbe për të depërtuar në grykën e Llapit, gjë që ata nuk e arritën. Këto pozicione janë mbajtur deri më 27 mars 1999, kohë kjo kure forcat serbe depërtuan nga krahu verior duke përdorur me qindra tanke dhe mjete tjera motorike.

Pa dashur ta glorifikoj qëndresën dhe luftën e ushtarëve të togut “Ulpiana 34” të Zonës Operative të Llapit, sepse secili rast, sikur edhe çdo betejë i ka specifikat e veta, shtrohet pyetja: Cila është specifika e Betejës së Peranit, e datës 9 janar 1999? Shumica absolute e betejave të UÇK-së shquhet për specifikat si shpërputhja në armatim, dallimet në moral e vullnet, numri joproporcinal i ushtarëve dhe specifikat tjera, prandaj edhe Beteja e Peraniti kishte këto dhe specifika tjera, por nuk di dhe nuk besoj që ka beteje të zhvilluar në luftën për lirinë e Kosovës që forcat serbe në një betejë të udhëhiqej nga dy vëllezër gjeneralë, siç ishte rasti i kësaj beteje, njëri nga vëllezërit Bojoviq, që me gradë ushtarake ishte gjeneral e u printe forcave serbe, kurse vëllai i tij, i cili poashtu ishte me gradë ushtarake gjeneral dhe ishte këshilltar për siguri i kasapit të Ballkanit, S.Milosheviq.

Jam i vetëdijshëm se një numër i njerëzve që do ta lexojnë këtë shkrim do të shtrojnë pyetje, dyshime e dilema se si është e mundur kjo, ndërsa unë jam vetëm njeri nga ushtarët e këtij togu që mund ta konfirmoj këtë: Dy gjeneralë dhe një batalion i tërë u ndalën nga një grusht ushtarësh me armatim modest, por të vendosur që ta mbrojnë vendin e tyre.

Historia e njerëzimit njeh shumë beteja kur forcat kundërshtare nuk kanë qenë të barabarta në armatim dhe në përgatitje, por fitimtarë kanë dalë ata të cilët e kanë pasur vullnetin, guximin, vendosmërinë dhe të drejtën e tyre në luftë për liri.

Lavdi dëshmorëve të kësaj beteje Nazmi Ismaili dhe Ismet Beqiri! Përjetë mirënjohës dhe falënderues ushtarëve të togut “Ulpiana 34” të Zonës Operative të Llapit, si dhe fshatarëve të Peranit, të cilët e rrezikuan jetën dhe familjet e tyre në mbështetje të luftës për liri në mbështetje ushtarëve të togut “Ulpiana 34”.

Mos i humb