11:03 / E Martë, 07 Prill 2020 / indeksADMonline

Beteja kundër koronavirusit, referi i njohur shqiptar në vijë të parë

Mjekët dhe infermierët janë ata që po përballen me vështirësi të mëdha në këtë periudhë, pasi u duhet të jenë në gatishmëri dhe të kujdesen për të prekurit nga COVID-19. Ata rrezikojnë vetën kështu dhe para disa kohësh kryeministri Edi Rama u shpreh se për ta do të ketë një shpërblim prej 1 mijë eurosh.

Gjithsesi duket se nuk do të ndodhë kështu dhe kjo konfirmohet nga ajo që ka ndodhur në Lezhë, ku për stafin mjekësor është akorduar një bonus prej 5 mijë lekësh të reja. Këtë shumë ata kanë menduar t’;ia kalojnë njerëzve në nevojë dhe premtojnë se do të vijojnë ta bëjnë punën me të njëjtën devotshmëri.

Ai që ka folur është një emër i njohur në Kategorinë Superiore, Ridigert Çokaj, i cili është refer anësor dhe punon edhe në Spitalin Rajonal të Lezhës. Në emër të mjekëve dhe infermierëve, ai ka deklaruar: “Jemi njohur më parë për vendimin e qeverisë në lidhje me shpërblimin që ka premtuar prej 1000 eurosh, por dje jemi kemi mësuar nga Drejtoria e Spitalit se janë akorduar 5 mijë lek të reja për stafin mjekësor.

Ne kemi vendosur që këto lek të kalojnë për familjet në nevojë. Spitali Rajonal i Lezhës ka qenë në gatishmëri dhe do të vazhdojmë të jemi te gatshëm që të ndihmojmë të gjithë ata që kanë nevojë për ndihmë mjekësore. Shërbimi është bërë dhe do të vazhdojë të bëhet me të njëjtën devotshmëri”.