08:12 / E Shtunë, 18 Nëntor 2017 / indeksADMonline

Beteja përfundimtare për komunat

Në 20 komuna të Kosovës nesër në orën 07:00 do të hapen kutitë e votimit. Beteja kryesore e partive politike është fokusuar tek gjashtë komunat më të mëdha të vendit, duke përfshirë këtu Prishtinën, Prizrenin, Gjilanin, Ferizajn, Gjakovën dhe Mitrovicën, shkruan Zeri.

Mbi 1.3 milion qytetarë të Kosovës kanë të drejtë vote në rundin e dytë të zgjedhjeve lokale, të cilat do të zhvillohet këtë të diel (19 nëntor). Votimi do të bëhet në 20 komuna të Kosovës (19 prej të cilave kanë shkuar në balotazh, si dhe në komunën e Parteshit, ku do të përsëritet votimi).

Kështu ka njoftuar Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), zyrtarë të së cilit kanë bërë të ditur se tashmë janë bërë të gjitha përgatitjet për ditën e zgjedhjeve. KQZ-ja po ashtu ka njoftuar se për rundin e dytë të zgjedhjeve do të jenë të angazhuar mbi 14 mijë komisionarë.

Pos kësaj, edhe Policia e Kosovës ka njoftuar se tashmë është përgatitur në tërësi që të ofrojë siguri gjatë ditës së 19 nëntorit.

Vëzhgues po ashtu do të ketë të angazhuar edhe nga rrjeti i organizatave “Demokracia në Veprim”, ku në të gjitha vendvotimet do të jenë prezentë 1777 të tillë.

Nga ana tjetër, përfaqësues të organizatave që kanë përcjellë fushatën gjatë 5 ditëve kanë konsideruar se ka qenë një fushatë me shumë pak përmbajtje, porse më konkrete se ato të zgjedhjeve të shkuara.