10:26 / E Premte, 12 Mars 2021 / OSH

Beteja politike për presidentin

Shkruan Demush Shabani


Përfundimi i zgjedhjeve si dhe çertifikimi i tyre ndërkohë i hap rrugë konstituimit të organeve të reja të pushtetit politik, kuvendit, presidentit dhe qeverisë. Nuk ka dyshim se etablimi i këtyre trupave është nevojë urgjente për shkak të sfidave në të cilat ndodhet Kosova në planin shëndetësor, ekonomik, politik dhe social. Çdo humbje kohe në këtë drejtim do të përbënte një goditje fatale për perspektivën edhe ashtu të zymtë të Kosovës.


Në këtë kontekst, pas konstituimit të Kuvendit, siç duket formimi i Qeverisë së re të drejtuar potencialisht nga lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, duket se nuk do të hasë në pengesa serioze politike, për shkak të konfiguracionit të ri politik dhe elektoral, ku këto zgjedhje e kanë nxjerrë si fituese të vetme Lëvizjen Vetëvendosje.


Por sfida kryesore në konsolidimin e institucioneve të reja më shumë duket të jetë zgjedhja e presidentit të ri të vendit. Sepse plotësimi i kritereve legale dhe kushtetuese për zgjedhjen e shefit të ri të shtetit, është krejt tjetër në krahasim me atë të qeverisë. Dhe ky fakt është i njohur për të gjitha partitë parlamentare në Kuvendin e Kosovës, që nga rasti i ish presidentit Behxhet Pacolli, kur Gjykata Kushtetuese e kishte konsideruar si jokushtetuese zgjedhjen e tij, sepse në seancë nuk ishin të pranishëm 80 deputetë. E këto kushte juridike tashmë janë standard legal dhe procedural për zgjedhjen e çdo presidenti tjetër, pavarësisht se kush është ai, për aq kohë sa mbetet në fuqi kushtetuta aktuale. Hipotetikisht, vetëm nëse ndodhin ndryshime normative në kuadër të saj mund të shmanget ky obligim. Bie fjala, sikur të kalohet në zgjedhjen e presidentit drejtpërdrejt nga qytetarët e Kosovës, model ky që e kanë shumë vende në rajon. Mirëpo, siç dihet, në Kosovë është tentuar të bëhet një ndryshim i tillë gjatë viteve 2011-2014. Por kjo nismë ka dështuar për arsye të mungesës së konsensusit politik për ta votuar në Kuvend pakon e këtyre ndryshimeve kushtetuese.
Sidoqoftë, këto zgjedhje ishin të çuditshme për shumëçka. Jo pse ishin të jashtëzakonshme, sepse Republika e Kosovës ka kohë që nuk mban zgjedhje të rregullta e ku asnjë qeveri nuk është në gjendje ta përfundojë mandatin e saj katërvjeçar. Por, në zgjedhjet e mbajtura më 14 shkurt 2021, konkurrenca politike deklartivisht u zhvillua edhe për pozitën e presidentit. Lëvizja Vetëvendosje së bashku me Listën Guxo të Vjosa Osmanit e nominuan këtë të fundit si kandidate për presidente në njërën anë si dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haredinajn në anën tjetër.

Një betejë e tillë elektorale ishte paradoksale, duke marrë parasysh faktin se qytetarët e Kosovës nuk e zgjedhin drejtpërdrejt presidentin e tyre. Ata votojnë për subjektet e tyrepolitike të preferuara, përkatësisht kandidatët për deputetë. Ndërkaq pasi të përfundon ky proces kjo detyrë i mbetet Kuvendit të Republikës së Kosovës për ta zbatuar.


Prandaj edhe përkundër platformës zgjedhore të Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit për ndarjen e pozitave të pushtetit, ky skenar nuk mund të realizohet pa konsensusin dhe kompromisin e partive opozitare shqiptare në bazë të rezultatit aktual të zgjedhjeve. Madje sikur të gjithë deputetet e pakicave të ishin pro këtij solucioni, përsëri Albini dhe Vjosa do ta kenë të pamundur që ta marrin “krejt” pushtetin për vete, pa mbështetjen e njërës prej partive shqiptare opozitare.


Ndërkaq sipas njohëseve të Kushtetutës në vend, proceduralisht pas konstituimit të Kuvendit, zgjedhja e Presidentit është detyrë primare e ndërtimit të institucioneve të reja, për shkak të rëndësisë që ka ky institucion në hierarkinë e organizimit të pushtetit në vend. Sa është i qëndrueshëm është ky opinion juridik mbetet të shihet.

Sidoqoftë, kurdo që vjen në rend dite kjo çështje, në bazë të gjendjes aktuale, kërkon konsensus, kompromis dhe ulje në tavolinën e negociatave ndërmjet partive politike parlamentare dhe një marrëveshje politike në mënyrë që të gjendet një zgjidhje për zgjedhjen e presidentit të ri.

Përndryshe, në mungesë të vullnetit politik për ta trajtuar me pjekuri këtë problem, vendi rrezikon të zhytet në një krizë më të thellë kushtetuese dhe politike, duke e futur vendin në një “terra ingocnita” në aspektin juridik. Në rast të dështimit për të adresuar racionalisht këtë çështje, Republika e Kosovës do të pushtohej nga një krizë serioze dhe një vakum i tmerrshëm i autoritetit publik institucional. Diçka që nuk kemi pasur rastin ta shohim që nga përfundimi i luftës dhe atë veçanërisht që nga shpallja e pavarësisë.
Skenarët e mundshëm të situatës.


Duke u bazuar në deklaratat e deritanishme, lideri i partisë që i ka fituar zgjedhjet ka lënë të nënkuptohet që nuk është i gatshëm të dialogojë në asnjë mënyrë dhe nuk pranon asnjë kusht nga partitë opozitare. Madje në stilin e një udhëheqësi tipik populist ai ka pohuar se për atë se kush do jetë mbartës i institucionit të presidencës si dhe të kryeministrisë ka vendosur populli me anë të zgjedhjeve. Ato ishin referendum. Ndërkaq mekanizmat institucionalë ndërmjetësues që e materializojnë këtë vullnet qytetar nuk kanë kurrfarë rëndësie përballë vullnetit autentik popullor.

Dhe sipas kësaj logjike, kjo kategori homogjene nuk do kompromis, por ndryshim. E ai, së bashku me Vjosën, janë të vetmit përfaqësues të popullit edhe agjentë të vetëm të kësaj etje dhe apetiti qytetar për ndryshim. Të tjerët janë vetëm mbetje aksidentale të “regjimit të vjetër”. Prandaj nuk ja vlen asnjë diskutim me përfaqësuesit e tyre.


Gjykuar në bazë rrethanave aktuale jeta politike ndodhet përballë tre skenarëve të mundshëm

  • Partia që i ka fituar zgjedhjet shkon në sallë ditën që mbahet seanca plenare për zgjedhjen e presidentit me emrin e Vjosa Osmanit, pa asnjë marrëveshje dhe dakordim paraprak me partitë opozitare. Dhe kështu e imponon emrin e kandidates së saj në mënyrë arbitrare dhe shpërfillëse ndaj opozitës në stilin “take it or leave it”.
  • Partitë opozitare qëndrojnë në sallë duke mos parashtruar asnjë kusht të tyre politik dhe juridik si dhe duke ia bërë kuorumin partisë që i ka fituar zgjedhjet. Kështu, kandidatja e pozitës për presidente e fiton këtë mandat dhe përkohësisht davaritet mundësia e një krize kushtetuese dhe politike. Po ashtu shmangen edhe zgjedhjet e reja parlamentare.
  • Ose partitë opozitare tentojnë ta bllokojnë me çdo kusht skenarin e monopolizmit të të gjitha pushteteve reprezentative politike nga Lëvizja Vetëvendosje. Ato insistojnë në gjetjen një kandidati konsensual dhe të pranueshëm për të gjitha partitë parlamentare, me synim ruajtjen e ekuilibrit të pushteteve dhe baraspeshën e forcave shoqërore, politike dhe juridike, konstelacion ky i domosdoshëm për mirëmbajtjen e një rendi demokratik. Ndërkaq nëse partia fituese e zgjedhjeve nuk demonstron asnjë shenjë të gatishmërisë për kompromis, ato e braktisin seancën dhe e bllokojnë jetësimin e planeve të pushtetit. Dhe kështu vendi rrezikon të shkojë në zgjedhje.
    Secili prej këtyre skenarëve mbart shumë rreziqe dhe pasiguri në rrethanat e lëndueshme në të cilat ndodhet Republika e Kosovës. Dhe për me tepër çdo njëri nga ta përfaqëson një mënyrë të re të ushtrimit të pushtetit në Kosovën e pasluftës. Politikisht, nëse Albini dhe Vjosa ia dalin që t’i shtrijnë tentakulat e tyre në të gjitha institucionet kryesore në vend, një mundësi e tillë do ti krijonte për herë të parë të gjitha parakushtet që një parti vetme (ndonëse formalisht koalicion parazgjedhor) t’i ketë nën kontroll të gjitha pushtetet qendrore në vend. Diçka që nuk është parë asnjëherë. Dhe një mundësi e tillë vështirë të jetë e shëndetshme për konsolidimin dhe avancimin e demokracisë në Kosovë. Për më tepër, ky solucion ka rrezik që ta përkeqësojë dhe agravojë më tej krizën politike. Në fund të fundit, siç është dëshmuar deri më tani, ekuilibri i pushteteve është dëshmuar si i vetmi çelës magjik për stablizimin e demokracive parlamentare.

    Mirëpo, nëse shkohet në zgjedhje sepse forcat parlamentare nuk mund ta gjejnë një gjuhë të përbashkët për këtë temë, po ashtu një zhvillim i tillë do të ishte i ri për Kosovën. Deri më tani kurrë më parë shoqëria kosovare nuk u është nënshtruar dy palë zgjedhjeve të njëpasnjëshme, sepse forcat politike nuk kanë qenë në gjendje të arrijnë marrëveshje për pozitën e institucionit të presidentit. Natyrisht kriza të tilla ka pasur. Por ato janë tejkaluar.
    Madje edhe në kohën kur Ibrahim Rugova i “fitonte në mënyrë solide”, zgjedhjet parlamentare, ai nuk ishte deklaruar kurrë për zgjedhje të reja nëse nuk i përvetësonte të gjitha institucionet, por përcaktohej për ndërtim të tyre dhe ndarje të pushtetit me të tjerët.
    Epoka e Populizmit
    Politikisht ky zhvillim tregon për një ndryshim thelbësor që ka ndodhur në mendësinë politike në vend. Liderët partiakë në të kaluarën konkurronin për të dalë të parët e për t’i fituar zgjedhjet, shtytje kjo normale për një garë demokratike, mirëpo ata nuk mendonin se ishin përfaqësues ekskluziv të jetës politike në vend. E pranonin se edhe oponentët e tyre ishin pjesë e saj si dhe përfaqësues legjitimë të qytetarëve, po ashtu sikur fituesit e zgjedhjeve. Prandaj, pas përfundimit të tyre kërkonin mënyra që së bashku t’i ndanin përgjegjësitë politike. Madje ky fakt e dallon rrënjësisht Ibrahim Rugovën edhe nga Vjosa Osmani, e cila gjithë ditën përhap iluzione se është apologjete e doktrinës dhe filozofisë së tij politike. Sepse i pari nuk është ushqyer kurrë me dogma populiste, kurse e dyta është shprehje tipike e këtij stili të politikëbërjes.

    Kështu si pasojë e marshimit të kësaj fryme në politikën kosovare, sot Albini me Vjosën deklarojnë se ata dhe vetëm, janë përfaqësues të popullit dhe askush tjetër nuk e ka këtë privilegj. Se vetëm kur kanë fituar ata, populli ka arritur të vetëdijesohet politikisht dhe moralisht. Kurse të gjitha zgjedhjet e deritanishme ishin iluzion dhe mashtrim shoqëror dhe psikologjik, si në aspektin individual ashtu edhe kolektiv. Ndërkaq fitorja e tyre elektorale paraqet klimaksin e këtij çlirimi. Kurse shoqëria kosovare ka filluar ta flasë të vërtetën nëpërmjet tyre.
    Madje nën ndikimin e kësaj shtytjeje bizare dhe mentaliteti anti-insititucional ata edhe kur janë në opozitë nuk ngurojnë që çdo pushtet ta shpallin si mashtrim dhe tjetërsim të vullnetit qytetar.
    Kurse kur i fitojnë zgjedhjet, por jo në përputhje me projeksionet e tyre, Albini me Vjosën ngulmojnë që t’i kenë të gjitha pushtetet për vete dhe nuk pranojnë të dialogojnë me asnjë entitet tjetër për ndërtimin e institucioneve të reja. Por ata kërcënojnë me zgjedhje te reja.
    Sepse kësaj kaste politike nuk i përshtatet asnjë standard demokratik konstitucional. E në këtë mënyrë Albini me Vjosën kanë mundësi ta vazhdojnë lojën dhe skenarin e tyre populist me “fushata permanente”, tipar ky tipik i lëvizjeve të tilla, ta thellojnë krizën, agravojnë edhe më shumë trysninë shoqërore dhe promovojnë frymën e gjendjes së jashtëzakonshme në vazhdimësi. Ngase vetëm në këtë mënyrë ata kanë mundësi të zhvishen nga përgjegjësia politike, e të kërkojnë fajtor kujdestar e për dështimet e veta. Dhe në fund të mos ballafaqohen me detyrimet qeverisëse. Shoqëria kosovare nuk ka nevojë për skenarë të tillë. Ajo pret nga të zgjedhurit e saj sjellje racionale, përkushtim për të lehtësuar krizën e gjithanshme dhe angazhim për avancim dhe konsolidim të institucioneve demokratike dhe kushtetuese.