Betim Merdiu rrëfen se si u sulmua nga biznesmeni në Dragash
Rastin e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës, sipas së cilës, Arifi është arrestuar dhe është ndaluar për 48 orë, shkruan Indeksonline.
“Një bisedë telefonike ka shpier deri tek përplasja fizike mes dy të pandehurve. Rasti ka ndodhur në oborrin e një restoranti në fshatin Bresanë. Dy të dyshuarit kanë pasur raporte të mira, deri në atë moment” thuhet në njoftimin e Policisë për Indeksonline.
Detaje për përleshjen ka dhënë edhe vet kryesuesi komunal, Betim Merdiu. Ai në një prononcim për Indeksonline ka treguar se si erdhi deri te përleshja me Arifin, që më parë nuk kishte pasur probleme.
“Ajo që thuhet në njoftimin e policisë është shumë e vërtet. Ne kemi pasur në komunë një delegacion për vizitë nga Bursa dhe zotëriu në fjalë ka qenë vetëm shoqërues, e jo si zyrtar. Unë kam pasur me përcjell agjendën e delegacionit gjatë aktiviteteve. Më vonë, ai më ka thirr në telefon dhe më ka thënë ‘ku jeni bre nanen kështu…’ dhe unë u thash ‘pse a duhet të raportoj ty për gjithçka që bëjmë apo çka’, dhe e ndali telefonin”, ka thënë Merdi.
Sipas tij, pas kësaj telefonate banale prej të cilës edhe nisi gjithçka, ndodhi edhe konfrontimi fizik.
“Pas kësaj, ne me delegacionin vazhduam rrugëtimin drejt fshatit, dhe ai erdhi në oborrin e restaurantit, gjatë sqarimit me të, ai më tha ‘ku je ti, cka kom me t’bo unë ty’ dhe më goditi në kokë. Unë nuk reagova pasi kishim mysafir dhe nuk doja t dalim keq para delegacionit. Pastaj, e kam lajmëruar rastin në polici e kam denoncuar atë, sepse ai është vetëm një biznesmen i asaj ane, asgjë tjetër”, ka thënë ndër tjerash Mediu. /Indeksonline/