08:20 / E Enjte, 24 Shkurt 2022 / AR

Biden pas sulmit rus: Të flasim qartë kundër këtij agresioni

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden zhvilloi një bisedë telefonike me homologun ukrainas, Volodymyr Zelensky, pak minuta pas shpërthimeve të para nga sulmi i ushtrisë ruse.

Kreu i Shtëpisë së Bardhë dënoi sulmin e paprovokuar të forcave ruse dhe deklaroi se shumë shpejt do të shpallen masat ndaj këtij vendi.

“Dënoj sulmin e paprovokuar dhe pajustifikuar të forcave ushtarake ruse. Fola me Zelensky për hapat që do të ndjekim për të bashkuar dënimin e komunitetit ndërkombëtar dhe në Këshillin e Sigurisë së Kombeve të Bashkuara”.

Biden shtoi se Zelenky i kërkoi që të telefononte liderët e botës që të flasin qartë kundër agresionit të presidentit Putin.