15:35 / E Enjte, 26 Maj 2022 / AR

Bie më shumë shi në qytetet e rrumbullakëta, apo katrore? Tregon studimi i fundit

Lidhja midis shpeshtësisë së reshjeve dhe formës së qyteteve i ka nxjerrë ekspertët në një përfundim: më shumë bie shi në qendrat e banuara me formë rrethore sesa në ato me formë katrore.

Merrni një hartë dhe shikoni formën e qytetit ku jetoni, nëse është i rrumbullakët, trekëndësh apo katror. Në rastin e parë (nëse jeni afër detit) ndoshta jeni një vend ku bie shi më shpesh se kudo tjetër. Kjo është ajo që del nga një studim kurioz i botuar në Earth’s Journal, i cili vëzhgoi nëse ka një korrelacion midis formës së qyteteve dhe shpeshtësisë së reshjeve. Nga studimi duket se qytetet rrethore bregdetare janë më shumë subjekt i reshjeve dhe përmbytjeve krahasuar me ato katrore, të cilat po ashtu janë më me shi se ato trekëndore.

Është hera e parë që është bërë një studim i tillë. Në të kaluarën është parë ndikimi në klimën e madhësisë apo urbanizimit të një qyteti, por askush nuk e kishte marrë parasysh formën. Për të kuptuar se si ky faktor i fundit ndikon në mot, autorët krahasuan parashikimet e Modelit të Kërkimit dhe Parashikimit të Motit “Weather Research and Forecasting Model” në lidhje me qytetet rrethore, katrore dhe trekëndore, apo që kanë tendencë për këto forma, me ato të modelit LES (Large-eddy simulation), një model matematikor që studion rrymat atmosferike.

Nga studimi rezultoi gjithashtu se ndikimi i formës në klimën lokale (moti) do të ishte më i madh për qytetet bregdetare, pasi këtu flukset ajrore të qytetit ndërveprojnë me rrymat detare. Duke hyrë në detaje, qytetet rrethore ishin më të lagësht nga të gjithë, me mbi 78% më shumë reshje të dendura dhe gati 22% më shumë se qytetet trekëndore.

“Kërkimi ynë identifikon një rol të rëndësishëm, ndonëse pak të njohur, të planifikimit urban të qyteteve, veçanërisht në zonat bregdetare”, nënvizojnë autorët. “Qytetet rrethore ka të ngjarë të goditen më shpesh nga reshjet ekstreme dhe përmbytjet.”

Duke njohur kufizimet e studimit dhe nevojën për të hetuar më thellë marrëdhënien midis motit dhe formës së qyteteve, studiuesit theksojnë rëndësinë e marrjes parasysh të aspektit urban kur flitet për qytetet e së ardhmes, veçanërisht duke pasur parasysh se në dekadat e ardhshme, ngjarjet ekstreme klimatike do të jenë gjithnjë e më të shpeshta.