13:57 / E Premte, 17 Nëntor 2023 / k.v

Bislimi: Integrimi i Ballkanit Perëndimor në BE është vizion për të ardhmen e përbashkët të popujve tanë

Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, mori pjesë në tryezën ndërparlamentare të organizuar nga Komisioni për Punë të Jashtme i Kuvendit të Kosovës, ku u mirëpritën Komisionet për Punë të Jashtme dhe Integrim Evropian të Kuvendeve të Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Bosnjës dhe Hercegovinës, Kroacisë dhe Bullgarisë.

Në fjalën e tij, zëvendëskryeministri Bislimi tha se “Bashkimi Evropian e vlerat demokratike janë orientimi jonë strategjik, andaj, Integrimi Evropian nuk është qëllim më vete. Ai është një rrugëtim transformues për ne, që nënkupton angazhimin tonë rreth vlerave të përbashkëta, të demokracisë dhe një të ardhmeje prosperuese për të gjithë qytetarët tanë.”

Theksoi angazhimin e Kosovës në përmbushjen e kritereve e arritjen e standardeve të BE-së: “Anëtarësimi në BE kërkon jo vetëm arritje të standardeve evropiane, por edhe përqafim të mirëfilltë të parimeve demokratike, sundimit të ligjit dhe respektimit të të drejtave të njeriut. Kosova tashmë 7 vite ka marrëveshje formale me BE-në dhe zbaton MSA-në përmes planeve vjetore, përderisa Agjenda e Reformave Evropiane është prioritet i yni në shumë fusha”.

“Angazhimi ynë për reforma është i panegociueshëm, është premtim që ia kemi bërë qytetarëve tanë për një qeveri efikase dhe të përgjegjshme, një gjyqësor të fortë dhe një mjedis të favorshëm për aktivitet ekonomik. Raporti i vendit për këtë vit, mes tjerash, njeh edhe progresin e arritur në rritjen ekonomike, konkurrueshmëri, ulje të shkallës së papunësisë, rritje të investimeve të huaja direkte dhe atë për 88% në baza vjetore, ulje të borxhit publik, progres në menaxhimin e projekteve publike, rritje e eksportit dhe shkallës së hapjes së ekonomisë, përmirësim i mjedisit biznesor, transformim digjital të ekonomisë, si dhe progres të dukshëm në fushën e energjisë.” tha ndër të tjerash.

Në lidhje me situatën në rajon, shtoi se: “Rajoni ynë po përballet me tentativa destabilizuese, që me shumë gjasë, regjisorin e kanë në Rusi, por akterët kryesorë janë nga vetë regjioni. Kosova është përballur disa herë këtë vit, edhe në muajt maj dhe qershor, e së fundmi me 24 shtator, me skenarë që kanë vetëm një qëllim, destabilizimin, e atë jo vetëm të Kosovës por edhe të gjithë rajonit.”

Më tej, ai foli dhe për rëndësinë e integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE, mbështetjen e vendit për “Planin e Rritjes” e përkushtimin e Kosovës në bashkëpunim rajonal.

“Integrimi i Ballkanit Perëndimor në BE është më shumë sesa thjesht proces burokratik: është kthim në gjenezë, është rindërtim i kulturës dhe vlerave të paqes e stabilitetit dhe vizion për të ardhmen e përbashkët të popujve tanë.” përfundoi fjalën e tij zëvendëskryeministri Bislimi.