08:39 / E Diele, 08 Dhjetor 2019

Bizneset e Durrësit kërkojnë pezullimin e detyrimeve fiskale

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë e Durrësit i bën 8 propozime konkrete Këshillit të Ministrave si masa emergjente që duhen të ndërmerren me qëllim përmirësimin e gjendjes në të cilën ndodhen bizneset e qarkut Durrës të prekura nga tërmeti i datës 26 Nëntor.

Propozimet janë:

1. Koordinimi ndërmjet Dhomës së Tregtisë dhe Shtabit të Emergjencave për dërgimin  e grupeve të ekspertëve për verifikimin e dëmeve në objektet e biznesit dhe çertifikimin e godinave  me qëllim rifillimin e punës në mënyrë sa më sigurtë për punëmarrësit.

2. Lehtësira fiskale për bizneset në Qarkun Durrës,  duke i pezulluar të gjitha detyrimet fiskale për një periudhe 3 vjeçare, sipas modelit të Italisë, Greqisë, Turqisë ( tatim fitimi, sigurime shoqërore, TVSH, taksa vendore etj).

3. Rimbursimin e TVSH për ndërtuesit dhe fasonistët

4. Lobimin nëpërmjet Bankës së Shqipërisë për pezullimin e pagesave të kësteve të kredive pë një periudhë një vjeçare.

5. Lobimin nëpërmjet Autoritetit të Mbikqyrjes Financire AMF për lëvrimin sa më shpejt të fondeve të biznese të siguruara.

6. Pezullimi i aktivitetit për bizneset e dëmtuara për sa kohë zgjat gjendja e jashtëzakonshme ( edhe nëse ka detyrime tek taksat)

7. Të njihen si shpenzime të gjitha donancionet që subjektet u japin OJF-ve të ndryshme apo punonjësve të tyre ( jo vetëm ato që bëhen te portal e-albania).

8. Organizimi i një Forumi të hapur biznesi ku të jenë të ftuar përfaqësues të institucioneve qëndrore  e lokale si dhe bizneset e qarkut Durrës.