13:32 / E Martë, 12 Nëntor 2019 / indeksADMonline

Bizneset, kërkojnë uljen e tarifave bankare dhe të sigurimeve

Kamata prej 5 për qind për kthimin e parave të imëta, tarifat në Master dhe Visa Card, POS-ët, rritja e tarifave në regjistrimin e makinave me 26 për qind, mundësia e kufizuar e deponimit të parave dhe mungesa e sigurisë gjatë deponimit në ATM, ishin disa nga çështjet të cilat Oda e Afarizmit të Kosovës (OAK) ngriti si shqetësim në një konferencë për media.

Kryetari i Bordit të OAK-ut, Skënder Krasniqi tha se problemi i parë është që taksa prej 5 për qind për kthimin e parave të imëta, pasi një biznes nga marketet dhe furrat që deponojnë 1 mijë euro në bankë, për këtë detyrohen që 50 deri 80 euro të paguajnë tarifë vetëm për pranimin e parave.

Krasniqi theksoi se kjo tarifë është një ngarkesë e madhe për bizneset për deponimin e të hollave në bankat komerciale. Ai njoftoi se Oda e Afarizmit të Kosovës gjatë këtij viti ka pasur dy takime me Guvernatorin e Bankës Qendrore (BQK) ku i ka shprehur shqetësimet bizneseve lidhur me këtë problem.

“Kjo është ngarkesë shumë e madhe e bizneseve, duke marrë parasysh se bizneset sidomos shitoret e vogla dhe furrat kanë me mijëra euro gjatë muajit para të imëta dhe po kanë probleme për t’i deponuar ato për shkak të taksave që banka i ka vendosur. Kjo taksë është vendosur prej Bankës Qendrore dhe ne kemi pasur takim dy herë me guvernatorin dhe kemi shprehur shqetësim në takimin e parë. Guvernatori ka premtuar se do ta zgjidhë këtë çështje, nuk e ka zgjidhë. Kemi pasur prapë para disa ditësh takimin e dytë, ku i kemi kërkuar përsëri që kjo të zgjidhet”, deklaroi Krasniqi.

Krasniqi bëri të ditur se lidhur me këto çështje, OAK-u së bashku me sektorin e bukëpjekësve ka bërë një peticion të cilin ia ka dërguar kryeministrit, ministrit të Financave, ministrit të Tregtisë dhe Industrisë dhe atij të Zhvillimit Ekonomik më datën 31.12.2018, si dhe ka realizuar dy takime me guvernatorin e BQK-së Fehmi Mehmeti ku janë informuar se kjo kamatë është vendosur nga vetë BQK-ja dhe e cila do të shqyrtohet për largim, por që ende nuk kanë ndërmarrë asgjë në këtë drejtim.

Kreu i OAK-u tha se Kosova ka tarifat më të larta të Master dhe Visa Card në rajon, derisa në Serbi tarifat në shkëmbim janë 0.2 deri 0.3%, Kosova për transaksione më pak se 25 euro e ka 0.8% apo 400% më të lartë dhe tarifat tjera variojnë nga 1.2 deri 2 për qind, apo rritje nga 600% deri në 1000% më të larta.

“Problemi i dytë janë tarifat që kanë bizneset dhe qytetarët me kartelat ‘Master’ dhe ‘Visa card’. Këto tarifa janë shumë të larta në krahasim me rajonin dhe ne kemi bërë një analizë me vendet e rajonit dhe del që në Serbi tarifat në shkëmbim janë 0.2 deri 0.3 për qind, ndërsa Kosova për transaksione për më pak se 25 euro e ka 0.8 për qind apo 400 për qind më të lartë. Tarifat tjera variojnë nga 1.2 deri në 2 për qind apo janë rreth 600 deri 1000 për qind më të larta në këtë se Serbia”, theksoi si.

Ndërsa, tarifat e pagesave nga POS-ët në markete sillen nga 1.3% deri në 2%, kjo sipas OAK-ut po i zhgënjen qytetarët që të bëjnë pagesa me kartela për shkak të tarifave të larta gjatë pagesave dhe rritja e tarifave në regjistrimin e makinave për 26% me arsyetimin e falimentimit të një kompanie sigurimi nuk është arsyetim.

“Në Kosovë ekzistojnë disa POS-a dhe për secilën biznesi detyrohet të paguaj bankën për tarifën e vendosur. Këto tarifa sillen nga 1.3 deri në 2 për qind, kjo është duke i ngarkuar shumë bizneset edhe qytetarët, sepse gjatë pagesave qytetarët paguajnë 1.2 deri në 2 për qind për blerjet që bëjnë në markete. Shqetësim tjetër është rritja e tarifave për regjistrimin e makinave për 26 për qind me arsyetimin e falimentimit të një kompanie, që mendojmë se ky nuk është arsyetim, sepse bankat kanë garancionet e veta dhe këto duhet t’i mbulojë vetë dhe jo me i mbuluar nga qytetari. Ne përshëndesim si veprim që BQK i del në mbrojtje biznesit, por ky duhet kthehet në analizë të BQK-së dhe jo të jetë në kurriz të qytetarëve dhe bizneseve. Asnjëherë deri më tash asnjë sektori të biznesit Qeveria nuk i ka dalë në ndihmë në rast se ka pasur probleme me të bërit biznes ose kanë falimentuar disa biznese”, deklaroi Krasniqi.

Ndërsa, Qendrim Kryeziu, pronar i biznesit anëtar në OAK “ISP Broadcast” SH.P.K. përmendi disa nga problemet me të cilat po ballafaqohen bizneset, siç janë numri i ulët i bankomateve dhe numri i degëve të bankave në komuna.

Shqetësim tjetër është mungesa e sigurisë gjatë deponimit në ATM, kufizimi i shumës që deponohet dhe mundësia e deponimit të parave ‘cash’ në ATM.

Kryeziu tha se këto po iu shkaktojnë ngarkesë të madhe financiare bizneseve dhe është duke i dëmtuar në punën e përditshme të tyre.

“Ne kemi anëtarë të Odës që nuk janë biznese të vogla dhe që nuk shkojnë t’i kryejnë 100 apo 200 euro deponime në sportele bankare. Nëse ka shkuar një anëtar i Odës dhe ka kryer një deponim brenda, që ka ndodhur muaj më parë, për një deponim prej 50 mijë euro është gjobitur me 50 euro. Kjo është e rëndë për një biznes. Ndërsa kemi raste të tjera, të deponimeve në ATM ku nga 0 deri 500 euro, tarifa është 50 cent dhe nga 500 e lartë janë deponimet deri në 2. 5 euro. Ndërsa telashet tjera me bankat ne i kemi se çdo tërheqje brenda sportelit tarifa është 2.5. Ne nuk mund t’i tërheqim çdo herë mjetet në bankomat, si për shkak të sigurisë apo për shkak të përshkrimit që duhet t’ia bëjmë në tërheqje ose për ku po i dërgojmë mjetet”, theksoi Kryeziu.

Kryetari i Bordit të OAK, Skënder Krasniqi tha se Republika e Kosovës me të gjitha institucionet është duke luftuar për zvogëlimin e informalitetit, ndërsa BQK-ja me taksa të larta që i ka lejuar bankat komerciale dhe kompanitë e sigurimeve është duke ndikuar në rritjen e infomalitetit dhe efuzionit fiskal.

Për këtë OAK fton edhe njëherë Bankën Qendrore të Kosovës që t’i marrë parasysh këto vërejtje, t’i dalë në ndihmë biznesit dhe qytetarëve që do të ndikojë në rritjen e pagesave, rritjen e biznesit dhe zvogëlimin e informalitetit.