09:51 / E Mërkurë, 14 Qershor 2023 / AR

Bjellorusia nis të marrë armë bërthamore taktike nga Rusia

Presidenti i Bjellorusisë, Aleksandër Lukashenko ka njoftuar se vendi i tij ka nisur të marrë armë bërthamore taktike nga Rusia, në një kohë kur vetë ai u duk se kundërshtoi Vladimir Putinin për përdorimin e mundshëm të armëve në Ukrainë.

“Bjellorusia ka filluar të marrë armë bërthamore taktike nga Rusia”, tha udhëheqësi Lukashenko në një intervistë për televizionin shtetëror rus.

Ai shtoi se disa prej armëve ishin tre herë më të fuqishme se bombat atomike që SHBA hodhi në Hiroshima dhe Nagasaki në 1945.

Lukashenko gjithashtu tha se ai e kishte të lehtë për të marrë edhe raketa me rreze më të gjatë veprimi nga Moska nëse do të nevojitej.

Vladimir Putin kishte theksuar se Moska do të mbajë kontrollin e përdorimit të tyre, por Lukashenko tha se nuk do të hezitonte t’i përdorte ato nëse Bjellorusia do të përballej me agresion.

Vendosja e këtyre armëve në territorin e Bjellorusisë është hapi i parë i rëndësisë së tillë për Moskën, në vendosjen e armëve bërthamore më pak të fuqishme me rreze më të shkurtër veprimi që mund të përdoren potencialisht në fushën e betejës jashtë Rusisë, që nga koha e rënies së Bashkimit Sovjetik.

Ky është një zhvillim që po vëzhgohet nga afër prej SHBA-ve dhe aleatëve të saj, si dhe nga Kina, e cila ka paralajmëruar vazhdimisht kundër përdorimit të armëve bërthamore në luftën e Ukrainës.