13:26 / E Martë, 29 Tetor 2019 / indeksADMonline

Blend Baftiu: Shpresoj, që një ditë të më realizohet ëndrra që të luajë për Kombëtaren e Kosovës

Një ndër futbollistët më të dalluar sivjet në Superligë, padyshim është mesfushori i Ballkanit, Blend Baftiu.

Pas 12 javësh, ai është golashënuesi më i mirë në kampionat me 7 gola.

Në një intervistë për Indeksonline ai thotë se mund të jetë konkurrent për të fituar “Këpucën e artë” në fund të sezonit.

“Nuk është se ia kam vu vetes këtë objektiv në fillim të kampionatit. Mirëpo duke pas parasysh golat që kam realize deri tash dhe formën e treguar, mendoj se mund të jem një prej konkurrentëve. Por gjithnjë me ndihmën e bashkëlojtarëve” deklaroi Baftiu për Indeksonline.

Sa i përket dëshirës për të luajtur në një kampionat më të fortë, Baftiu thotë se kjo mund të ndodhë.

“Kam pas një start të mirë të këtij kampionati, si me ekip ashtu edhe në aspektin personal. Por fokusi im është ta ndihmoj skuadrën të vazhdoj me rezultate të mira. Mirëpo bazuar në formën e mirë dhe në ndonjë ofertë  serioze që nuk po mungojnë, në bashkëpunim me klubin edhe mundet me ndodh” shprehet mesfushori i Ballkanit.

Baftiu së fundi luajti me Kosovën U21 në ndeshjen kualifikuese për kampionatin evropian 2021 kundër Shqipërisë. Ai thotë që e ka ëndërr të luaj për Kombëtaren A të Kosovës.

“Si  çdo futbollist, ashtu edhe unë ëndërroj që një ditë ta përfaqësoj Kombëtaren e Kosovës dhe të jap kontribut për vendin tim. Shpresoj që një dit kjo ëndërr të më realizohet” shtoi Baftiu.