15:34 / E Martë, 11 Prill 2023 / S Z

“Blindohet” Belfast-i, teksa Joe Biden përgatitet të vizitojë Irlandën e Veriut

Presidenti amerikan Joe Biden synon të theksojë përkushtimin e vendit të tij për ruajtjen e paqes në Irlandën e Veriut kur të vizitojë Belfastin këtë mbrëmje.

Ai do të mbërrijë në qytet për të shënuar 25 vjetorin e nënshkrimit të marrëveshjes së paqes të së Premtes së Mirë, raporton BBC.

Marrëveshja e vitit 1998 i dha fund trazirave – konfliktit të dhunshëm prej dekadash në Irlandën e Veriut në të cilin u vranë mijëra njerëz.

Një operacion i madh sigurie është vendosur tashmë në Belfast për vizitën.

Ndërsa Biden ka lavdëruar atë që politikanët bënë për të siguruar paqen në 1998, vizita e tij është lënë në hije nga fakti se qeveria e Irlandës së Veriut për ndarjen e pushtetit nuk po funksionon.

“Mezi pres të shënoj përvjetorin në Belfast, duke nënvizuar angazhimin e SHBA-së për ruajtjen e paqes dhe inkurajimin e prosperitetit”, tha Biden para mbërritjes.

Vizita e tij në Belfast do të jetë pjesa e parë e një qëndrimi katër-ditor në Irlandë, gjatë së cilës ai do të diskutojë për rrënjët e tij irlandeze dhe do të takohet me të afërmit irlandezë.