10:16 / E Enjte, 11 Nëntor 2021 / B O

BMW do të prodhojë energji elektrike nga lopët, ja plani gjenial i të ardhmes

Gjigantët e prodhimit të automobilave elektrik po mendojnë mënyra të reja për sigurimin e energjisë elektrike. BMW është kompania e parë gjigante që ka njoftuar planin e saj për të prodhuar energji elektrike nga lopët.

BMW aktualisht po punon me fermën “The Bar 20 Dairy” me seli në Kaliforni, për të prodhuar energji elektrike që do të përdoret për të fuqizuar automjetet elektrike.

Me këtë plan parashihet një metodë për grumbullimin e metanit nga jashtëqitja e lopëve dhe me një trajtim të veçantë e shndërron atë në energji elektrike, shkruan Indeksonline.

Poashtu, kjo metodë redukton në mënyrë drastike emetimet e metanit nga lopët, të cilat sipas ambientalistëve janë gjithashtu përgjegjëse për gazrat serrë. Sipas ekspertëve, kjo metodë është më e pastërta dhe më ideale për ambientin në botë.

Sistemi llogaritet si shumë efikas dhe krijon dy herë më shumë energji elektrike sesa gjeneratorët konvencionalë duke përdorur të njëjtën sasi biogazi.

“Projekti nuk është i shkëlqyeshëm vetëm për mjedisin, por edhe për fermerët, pasi siguron një burim shtesë të ardhurash” ka thënë Adam Langton, menaxher i shërbimeve të energjisë së BMW-së./Indeksonline/