13:41 / E Mërkurë, 26 Qershor 2019 / indeksADMonline

BMW synon t’i dyfishojë veturat elektrike dhe hibride në dy vjetët e ardhshëm

Prodhuesi gjerman i veturave luksoze, BMW, i ka përshpejtuar hapat për t’u tërhequr nga prodhimi i motorëve me djegie të brendshme dhe për ta rritur përdorimin e teknologjisë së baterive. Kjo kompani planifikon ta dyfishojë numrin e veturave elektrike dhe hibride që do të shiten gjatë dy vjetëve të ardhshëm.

Zyrtarët e BMW njoftuan të martën se 25 modele të veturave me rrymë do të jenë të gatshme për shitje në vitin 2023, dy vjet më herët sesa koha e planifikuar më parë. Më shumë se gjysma e veturave do të jenë plotësisht elektrike.

Ndryshimi i politikës së kompanisë për të prodhuar më shumë vetura elektrike vjen në kohën kur prodhuesit evropianë po përballen me një sfidë të pashembullt ndaj biznesit të tyre fitimprurës për shkak se disa shtete, përfshirë shtetet e Bashkimit Evropian dhe Kinën, po planifikojnë ta pakësojnë qarkullimin e veturave që lirojnë gazra të karbonit.

Për prodhuesit gjermanë të veturave, përfshirë BMË-në, Volkswagenin dhe Daimlerin, gara për t’u tërhequr nga prodhimi i veturave me naftë dhe benzinë është veçanërisht urgjent. Sipas rregullave të ashpra të BE-së, të cilat do të hyjnë në fuqi në vitin 2021, prodhuesit duhet të sigurohen që veturat e reja të mos lirojnë më shumë se 95 gramë dyoksid të karbonit për një kilometër, në të kundërtën do të përballen me gjoba të larta.

Si reagim ndaj këtyre rregullave, BMW-ja planifikon të shesë më shumë vetura elektrike dhe hibride për më shumë se 30 për qind secilin vit deri më 2025. Në këto plane janë të përfshira të tria brendet: BMW, Mini dhe Rolls-Royce.