Boletini paralajmëron shkarkimin e drejtorit serb të RTK2
Kryetari i Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, Besnik Boletini, ka paralajmëruar masa të ashpra ndaj udhëheqësisë së RTK2, i cili është kanal simotër i RTK-së, por që transmetimin e bën në gjuhën serbe.
“Duke marrë parasysh zhvillimet e fundit në veri të vendit, që nga dita e parë ne jemi duke e përcjellë vazhdimisht raportimin edhe në RTK2 dhe janë mbajtur evidenca, e ku janë hasur edhe parregullsi në raportim. Bordi i RTK-së do të marrë masa të menjëhershme dhe të ashpra” ka thënë Boletini.
Reagimi i tij vjen pasi në një edicion lajmesh në këtë kanal, Republikës së Kosovës i është referuar si “Kosova me Metohi”.
Në anën tjetër, shikuesit kanë evidentuar edhe raportimin, në të cilin sulmuesit e vrarë nga Policia e Kosovës janë konsideruar si “viktima”.