13:21 / E Enjte, 30 Janar 2020 / indeksADMonline

Borell: Do të ndërmjetësoj në dialogun Kosovë- Serbi pa bërë garë me Grenellin

Përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell ka deklaruar pas takimit me presidentin e Kosovës se Bashkimi Evropian do të ndërmjetësojë në dialogun Prishtinë – Beograd, pa bërë garë me emisarin e SHBA-së në bisedime, Richard Grenell.

Borell thotë se nuk do të bëjë garë me amerikanët, teksa shton se do të punojnë së bashku.

“Amerikanët kanë shumë plane. Për Lindjen e Mesme, Korenë dhe për këtu. Është një çështje të kesh plan, dhe çështje tjetër të angazhohesh për të pasur sukses. Ne kemi investuar më shumë se 1 miliardë. Nuk po bëj garë me amerikanët, do të punojmë së bashku dhe nuk do të ketë ndasi. Ne nuk jemi këtu të vendosim fajin njeri tjetrit. Ne ndoshta nuk jemi mjaf të zëshëm por jemi mjaft të involvuar në këtë çështje”, thotë Borell, teksa, shton se nuk është detyrë e tij që t’i bindë pesë shtete që të njohin Kosovën si të pavarur.

“Nuk është detyra ime ti bindi 5 shtete ta njohin Kosovën. Këtu përfaqësoj BE’në. Nuk do të imponojmë asnjë marrëveshje”, shton ai.

I pyetur se pse nuk është takuar ende me Richard Grenell dhe a janë të njejtën linjë sa i përket dialogut, Borell thotë se do të punojmë së bashku.

“Ju kuptoj çfarë po thoni. Ne po letësojmë dialogun. Të njejtën gjë po e bënë edhe z.Grenell. Nuk po bëjmë garë, duam të punojmë së bashku”, thotë ai.

Pas deklarimit të Borell, i pari i shtetit, tha se është jetike për Kosovën që BE të jetë unike në raport me dialogun.

“ Sa i përket dialogut, jetike është që BE të jetë unike në raport me dialogun Kosovë-Serbi. Por që të ketë sukses real duhet të ketë koordinim SHBA- BE, pa këtë bashkëpunim smund të ketë sukses. Roli i ShBA’së është i pa zëvëndësueshëm. Grenell ka bërë punë të jashtëzakonshme.  Marrëveshja finale është jetike për Ballkanin Perëndimor”, ka thënë presidenti Hashim Thaçi.