12:59 / E Hënë, 08 Janar 2024 / L K

Brazili i beson stolin “mjeshtrit” 61-vjeçar, pasi Ancelotti rinovoi me Realin

Dorival Junior do të jetë trajneri i ri i Brazilit. Drejtuesit e CBF (Federata Braziliane e Futbollit) kishin zgjedhur Carlo Ancelottin si personin e duhur për të rikthyer skuadrën Seleçao te Kupa e Botës, por italiani rinovoi me Realin e Madridit.

Dëshirë kishte edhe për firmën me Jose Mourinhon, ndërkohë që zgjidhja ka ardhur brenda familjes. Me Brazilin që do të vijojë të drejtohet nga një trajner brazilian.

61-vjeçari mbante detyrën e teknikut të Sao Paulos, klub që njoftoi emërimin e tij si tekniku i ri i 5 herë kampionëve të botës. Duke e lënë të lirë të realizonte ëndrrën e jetës.

Dorival Junior është një trajner me një reputacion shumë të madh në Brazil, aty ka drejtuar disa nga skuadrat më të mira të vendit.

Duke përfshirë Cruzeiro, Santos, Vasco da Gama, Internacional, Atletico Mineiro, Flamengo, Fluminense, Palmeiras, Athletico Paranaense dhe Sao Paulo.

“Është realizimi i një ëndrre personale, që u bë e mundur falë mirënjohjes për punën e bërë te Sao Paulo. Dua të falënderoj klubin, por edhe gjithë tifozët për mbështetjen e tyre”, u shpreh trajneri i Brazilit.

Dorival Junior zëvendëson Fernando Diniz, i cili qëndronte në pankinën e Brazilit prej 5 korrikut të vitit të kaluar. Trajneri i ri, i njohur për faktin që luan me skemën “4-2-3-1”, ka firmosur deri në 2026.