23:09 / E Shtunë, 09 Korrik 2022 / OSH

Brenda gjashtë muajsh, gjashtë raste të fëmijëve të braktisur

Nga janari deri në qershor të këtij viti janë evidentuar gjashtë raste të braktisjes së fëmijëve në të gjithë vendin. Rasti i fundit ka ndodhur në fillim të kësaj jave.

Fillimi i javës për dikë nuk ishte mjaft i qetë. Në Policinë e Kosovës kishte ardhur një raportim ku ankuesja grua kosovare ka raportuar se nipi i saj në moshë të mitur është larguar nga shtëpia e po ashtu keqtrajtohej nga babai i tij.

Më pas i njëjti ishte dërguar në strehimore me ndihmën e institucioneve.

E gjithë kjo nga Policia është cilësuar si braktisje e fëmijës. Por, ky nuk është rasti i vetëm ku prindërit braktisin fëmijët e tyre.

Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale i ka treguar televizionit se nga muaji janar deri më 30 qershor të këtij viti janë evidentuar 6 raste të fëmijëve të braktisur.

“Krahasuar me vitin e kaluara, për të njëjtën periudhë të raportimit, është pothuajse numër i njëjtë i rasteve të fëmijëve të braktisur. Pra, në periudhën gjashtëmujore të vitit 2021 kanë qenë të evidentuar 8 raste të reja të fëmijëve të braktisur. Ndërkaq, viti 2021 gjithsej ka evidentuar 15 raste të reja të fëmijëve të braktisur”, ka deklaruar Ministria e Mirëqenies Sociale.

Institucioni përgjegjës i mandatuar me ligj për mbrojtjen e fëmijëve të braktisur është Qendra për Punë Sociale komunale.

E se çfarë ndodh me këta fëmijë ka treguar drejtori i Qendrës për Punë Sociale në Komunën e Prishtinës, Vebi Mujku.

“Fëmija e cila braktiset, çdo herë e merr kontrollin prej neve, ne e caktojmë një kujdestar ligjor, e caktojmë një menaxher dhe kujdesemi për ta deri në momentin e themelimit të adoptimit”, ka thënë Mujku.

Fëmijës së braktisur deri sa të i sigurohet një familje birësuese mbahen 28 ditë në spital përkatësisht në repartin e Neonatologjisë pastaj në familje strehuese apo ndonjë institucion tjetër.

Familjet strehuese që zgjedhen nga qendra paguhen me paga mujore për kujdesin e fëmijëve të braktisur./Dukagjini/