14:48 / E Enjte, 21 Mars 2024 / MSH

Britani/ Një grua akuzohet për shpëlarje parash, posedonte Bitcoin me vlerë 2 miliardë paund

Një grua që posedonte Bitcoin me vlerë mbi 2 miliardë paund, është dënuar nga Gjykata “Southwark Crown”, mbi dyshimin se e njëjta ka kryer shpëlarje parash.

Jian Wen, 42 vjeç, nga Hendon i Londrës, ishte e përfshirë në konvertimin e monedhës në asete, duke përfshirë shtëpi dhe bizhuteri shumë milionëshe, raporton BBC, transmeton Indeksonline.

Të hënën ajo u dënua për përfshirje në një marrëveshje pastrimi parash.

Sipas “The Met”, konfiskimi është më i madhi i këtij lloji në Mbretëri të Bashkuar.

Edhe pse Wen jetonte në një apartament mbi një restorant kinez në Leeds, kur u përfshi në aktivitetin kriminal, stili i saj i ri i jetesës e pa atë të transferohej në një shtëpi me gjashtë dhoma gjumi në veri të Londrës në vitin 2017, e cila ishte marrë me qira për më shumë se 17 mijë paund në muaj.

Sipas Shërbimit të Prokurorisë së “Southwark Crown”, e dyshuara filloi të shfaqej si punonjëse e një biznesi bizhuterish, dhe e zhvendosi djalin në Mbretëri të Bashkuar për të ndjekur studimet në një shkollë private.

Në të njëjtin vit, Wen u përpoq të blinte një varg shtëpish të shtrenjta në Londër, teksa tentoi të kalonte kontrollet e pastrimit të parave dhe pretendimet e saj se kishte fituar miliona në mënyrë legjitime duke nxjerrë Bitcoin.

Ajo më vonë udhëtoi jashtë vendit, duke blerë bizhuteri me vlerë dhjetëra mijëra paund në Cyrih dhe duke blerë prona në Dubai në vitin 2019.