15:44 / E Diele, 05 Prill 2020 / indeksADMonline

Britanikët s’mërziten për koronavirus, ua mësyejnë parqeve me “shisha”

Britanikët në mbarë vendin po vazhdojnë të mos i respektojnë udhëzimet e autoriteteve për distancë sociale ose distancë fizike në kohën kur numri i të infektuarve me koronavirus në këtë shtet ka shkuar në gati 42 mijë.

Pasi temperaturat në Britani të dielën shkuan deri në 20 gradë, policia po frikësohet se edhe më shumë njerëz do të dalin në parqe dhe plazhe, duke e injoruar kërkesën e qeverisë për të qëndruar në shtëpi, shkruan “Daily Mail”.

Ministri britanik i shëndetësisë, Matt Hancock, tha se qëndrimi në shtëpi është mënyra më e mirë për ta kufizuar përhapjen e virusit dhe rruga më e shpejtë për të dalë nga kjo gjendje. Ai shtoi se udhëzimet janë të qarta që njerëzit nuk duhet të dalin për t’u rrezitur

Sidoqoftë, duket se një pjesë e britanikëve nuk janë të frikësuar nga infektimi. Shumë njerëz u panë në parqe dhe në plazhe duke u argëtuar në mënyra të ndryshme. Një grup i të rinjve madje kishte marrë edhe “shisha” me vete.