23:46 / E Mërkurë, 17 Gusht 2022 / Gjelbrim

Broja nuk po stërvitet me Chelsean, sinjal largimi nga Stamford Bridges?

Armando Broja nuk është stërvitur në dy ditët e fundit me Chelsea. Sulmuesi i kombëtares shqiptare u fut si zëvendësues nga Tuchel në dy duelet e para në kampionat kundër Evertonit dhe Tottenhamit.

Evertoni kërkon me insistim shërbimet e Brojës, të cilin po e tenton edhe Newcastle. Mediet angleze nuk raportojnë për ndonjë dëmtim të 20-vjeçarit shqiptar, kështu që mungesa e tij në stërvitje lidhet me një transferim diku tjetër.

Chelsea po garon të sigurojë Pierre-Emerick Aubameyang nga Barcelona. Ardhja e kapitenit të Gabonit pritet të sjellë largimin e Brojës, i cili mund të vijojë karrierën në “St James Park”.

Sulmuesi i talentuar është një nga objektivat e Newcastle për repartin ofensivë, trajneri Eddie Howe e vlerëson shumë shtatlartin shqiptar dhe drejtuesit e “Qymyrxhinjve” po përgatisin një ofertë zyrtare.

Chelsea refuzoi 30 milionë paund nga West Ham kohë më parë, ndërkohë që pritet me interesim të madh nëse “Blutë e Londrës” do të pranojnë shitjen apo huazimin e lojtarit shqiptar.