14:28 / E Premte, 17 Maj 2019 / indeksADMonline

Brovina: Fotografia ishte e falsifikuar, ju kërkoj falje të gjitha viktimave të dhunuara

Depuetja e PDK-së Flora Brovina pas përfundimit të intervistës në Polici në oborrin e Kuvendit është deklaruar lidhur me fotografinë ku dje e paraqiti si dëshmi të dhunimit të një gruaje kosovare nga ushtarët serbë.

Ajo i ka kërkuar falje viktimave të dhunës  seksuale dhe familjeve të tyre për shqetësimin me paraqitjen e asaj fotografie, raporton Indeksonline.

Brovina ka thënë se ajo fotografi ka qenë dokument i falsifikuar që është keqpërdorë më herët dhe se tek ajo ka arritur përmes një aktivisti nga Këshilli i të Drejtave të Njeriut.

Sipas saj, fotografinë e ka që nga viti 2003, kur ishte kryetare e Komisionit për Persona të Pagjetur.

E pyetur se do të dorëhiqet, ajo tha se ka disponim për të bërë një gjë të tillë, kur është në fjalë shteti dhe e vërteta e tragjedisë së Kosovës.

Disa pjesë nga fjalimi i saj:

Krejtve viktimave të dhunuara ju kërkoj falje për shqetësimin që ua kam sjell me këtë fotografi.

Organet e shtetit në të cilat besoj shumë do të merren me këtë çështje dhe tanimë janë duke u marrë.

Dhe tani konstatoj së është një dokument i falsifikuar, është keqpërdorë shumë kohë me herët, qysh në vitin 2003 ku më është dorëzuar mua si kryetare e Komisionit për Persona të Zhdukur.

Fotografia me është dorëzuar nga një aktivist i Këshilli të Drejtave të Njeriut, ku ma ka dorëzuar në zarf dhe me tha se mund ta përdori dhe se personi në fotografi është gjallë. Dëshmitare ka qenë edhe nënkryetarja e komisionit për personat e zhdukur, Mevlude Saraqi.

Kam pas informatën se ngjarja ka ndodh në Dukagjin, kështu më është thënë, gruaja e moshës 35-vjeçare. E kam thirrë në telefon, e kam pyetur se a mund të përdori, a e kam lejen e familjes, me ka thënë po.

Me ju thanë të drejtë, kurrë nuk kam menduar që dikush mund të më sjell dokumente të paverifikuara, të pa sakta, prandaj me guxim e kam përdorur.

Nuk kam dyshuar në të, pasi situata të ngjashme ka edhe me viktimat tona të dhunës seksuale.

Qëndroj edhe për fajësinë time, se ndoshta nuk e kam verifiku edhe njëherë në momentin e fundit.

Saktësinë e kësaj fotografie lë të bëjnë organet e drejtësisë dhe unë jam në gjendje të bashkëpunoj me ta.

Aktivistin që ma ka dhënë këtë fotografi nuk ja di emrin e kam harruar.

Kryetari Veseli nuk e ka ditur që kam dokumente me veti.

Unë vet para seancës për gjenocidin serb kam pasur disa dokumente, ku ndër to edhe këtë fotografi dhe e kam përzgjedhur atë.

Unë jam ftuar në cilësinë e dëshmitares.

Edhe njëherë i kërkoj falje të gjitha viktimave që janë prekur me paraqitjen e asaj fotografie të djeshme. /Indeksonline/