10:54 / E Diele, 19 Nëntor 2017 / indeksADMonline

Buffon dhe Barzagli mungojnë në ndeshjen e sotshme, arsya eliminimi i Italisë

Portieri Gianluigi Buffon dhe mbrojtësi Andrea Barzagli nuk do të jenë sot pasdite në fushë në stadiumin “Luigi Ferarris”, në ndeshjen që Juventusi do të luajë ndaj Sampdorias. Dy lojtarët kanë rikuperuar fizikisht, por ende jo psikologjikisht pas eliminimit të Italisë nga Botërori “Rusi 2018”, ndaj dhe nuk do të jenë në fushë sot edhe pse përballë do të kenë një rival të fortë. Por të dy lojtarët do të jenë në dispozicion në ndeshjen e Champions League, ndaj Barcelonës.

Lajmin e mungesës së tyre e ka konfirmuar trajneri Max Allegri, që tha: “Buffon dhe Barzagli janë mirë, po largojnë pak e nga pak zhgënjimin për eliminimin e Italisë, ndaj nuk do të jenë sot në fushë. Jeta vazhdon, por duhet pak kohë për të lënë pas krahëve këtë dështim. Gigi ka patur një reagim më të mirë e kam takuar dhe kemi folur, por pas 15 ditësh në kombëtare dhe me peshën e eliminimit ishte e nevojshme që ta lija pushim. Kjo vlen edhe për Barzagli, pasi kanë përjetuar një dramë”.