Buja e njehsorëve të pasaktë/ KEDS-i po vendos matës të rinj
KEDS ka nisur vendosjen e matësve të rinj të shpenzimit të energjisë elektrike, pas bujës së madhe që bëri pasaktësia në kalkulimin e njehsorëve.
Në disa lagje të kryeqytetit, ekipet e KEDS-it kanë nisur punën e zëvendësimit të matësve, shkruan IndeksOnline.
Çeshtja e aktualizuar tash e disa ditë u ndoq me shqetësim edhe nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit.
Në një njoftim zyrtar, MINTI pohoi dje se ka themeluar një komision të posaçëm për këtë çështje.
“Me qëllim të garantimit të transparencës, korrektësisë dhe mbrojtjes së interesave të qytetarëve, dhe duke u bazuar në Ligjin Nr. 06/L-034 për Mbrojtjen e Konsumatorit, në kuadër të përgjegjësive të Departamentit për Mbrojtjen e Konsumatorit, me datë 31.03.2026, është themeluar një komision i posaçëm për verifikimin e njehsorëve elektrikë.
MINTI e njofton opinionin publik se deri më tani nuk është pranuar asnjë ankesë nga konsumatorët lidhur me dyshime për keq llogaritje të njehsorëve.
Megjithatë, duke filluar nga data 01.04.2026 (e mërkurë), komisioni do të dalë në terren për të verifikuar njehsorët elektrikë të çdo konsumatori që paraqet ankesë” deklaroi dje MINTI./IndeksOnline/



