16:25 / E Martë, 25 Janar 2022 / k.v

Buleshkaj: Rekomandimet e Transparency International do të shndërrohen në objektiva pune të AKK-së

Drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit (AKK), Yll Buleshkaj ka thënë se rekomandimet e raportit të Transparency International, sipas të cilit Kosova ka shënuar progres në luftën kundër korrupsionit, do të shndërrohen në objektiva pune të Agjencisë kundër Korrupsionit.

Në një komunikatë për media të AKK-së, thuhet se Buleshkaj është zotuar se AKK do t’i trajtojë me seriozitet dhe përkushtim rekomandimet e dala nga raporti i Transparency International.

“Drejtori i Agjencisë kundër Korrupsionit z. Yll Buleshkaj, është zotuar se AKK do t’i trajtojë me seriozitet dhe përkushtim rekomandimet e dala nga raporti i Transparency International, duke ngritur efikasitetin e veprimeve të AKK-së në parandalimin dhe luftimin e Korrupsionit në Kosovë, të përqendruara në deklarimin e pasurisë, parandalimin e konflikti të interesit dhe mbrojtën e sinjalizuesve. Rekomandimet e Raportit të Transparency International do të shndërrohen në objektiva pune të Agjencisë kundër Korrupsionit”, ka thënë Buleshkaj.