13:14 / E Martë, 20 Tetor 2020 / indeksADMonline

Bulliqi gëzohet para kohës: Zgjedhjet, në Podujevë, do t’i fitojë Vetëvendosje

Zgjedhjet e jashtëzakonshme në komunat Podujevë dhe Mitrovicë e Veriut do të mbahën më 29 nëntor.

Shpejtim Bulliqi, kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Komunës në Podujevë, ka shprehur bindjen e tij se do të dalë fitues në këto zgjedhje.

“Unë si kandidat dhe subjekti politik të cilit i takoj jemi të gatshëm për zgjedhje që nga marsi që u anuluan, ne kemi dorëzuar një kërkesë në KQZ në muajin qershor për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve, janë organizuar aksione simbolike, konferenca për media etj. Jemi shumë të gatshëm dhe jemi të bindur që do të fitojmë bindshëm, duke pas parasysh zhgënjimin qytetar ndaj qeverisjes lokale në Komunën e Podujevës dhe vullnetin e qytetarëve për ta sjellë ndryshim më Lëvizjen… në qeverisje në secilin nivel”, ka thënë ai në një prononcim për IndeksOnline.

Bulliqi midis tjerash ka thënë se kandidatët tjerë nuk i sheh shumë serioz, dhe asnjëri nga ta nuk mund ta sfidojë në këtë garë.

“Kandidatët me të cilët jam në garë nuk i shoh shumë serioz dhe që mund të më sfidojnë mua në këtë garë, tash ka mbetur vetëm të hapet rruga dhe të dëgjohet vullneti qytetar nga të cilët buron legaliteti dhe legjitimiteti”, vlerëson ai.

Sipas tij, epidemia nuk duhet të paraqesë ndonjë telashe në mbajtjen e zgjedhjeve.

“Në situatën në të cilën gjendet vendi ynë me pandeminë, unë mendoj që pa ndonjë telashe të madhe mund t’i mbajmë zgjedhjet edhe në nivel qëndror e lëre në dy komuna të cilat janë pa kryetar me një angazhim të IKSHPK-së për hapat që duhet t’i ndjekim gjatë votimit dhe ditëve të fushatës nëse do ketë dhe institucioneve të rendit duke ruajtur distancën dhe duke i obliguar qytetarët për mbajtjen e maskave”, tha Bulliqi për IndeksOnline.

“Ne duhet t’i ndjekim modelet e shteteve të rajonit që kanë mbajtur zgjedhje në kohë pandemie dhe nuk ka asnjë burim kredibil shkencor që vërteton se zgjedhjet rritin vatrat e infeksionit me covid-19. Andaj, ne presim që sa më parë institucionet përgjegjëse të caktojnë datën e zgjedhjeve dhe të lirojnë procesin e mbajtjes së zgjedhjeve dhe qytetarët me votë të lirë dhe demokratike të vendosin për kryetarin e tyre”, shtoi ai.

Ndryshe, presidenti Thaçi e ka udhëzuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për organizimin dhe mbajtjen e zgjedhjeve në Komunën e Podujevës dhe në atë të Mitrovicës së Veriut në përputhje me vendimet dhe ligjin në fuqi./IndeksOnline/