16:33 / E Mërkurë, 02 Dhjetor 2020 / Blerim

Bulliqi i gatshëm qysh sot ta merr detyrën, kjo është puna e parë që do ta bëj

Pas 20 vjetësh qeverisjeje, Lidhja Demokratike e Kosovës, humbi një nga bastionet më të fuqishme, Llapin.

Në zgjedhjet lokale të jashtëzakonshme që u mbajtën, më 29 nëntor, Lëvizja Vetëvendosje mori Komunën e Podujevës, me kandidat Shpejtim Bulliqin.

Kryetari i ri i llapjanëve, ka thënë për IndeksOnlinen se është i gatshëm ta marrë që sot detyrën. Derisa thotë se tashmë me partinë e tij, kanë nisur takimet për ekipin e ri.

“Po unë jam i gatshëm që sot ta marr detyrën e re, por duhet të presim cerifikimin e rezultateve nga KQZ-ja. Bashkë me kryesinë dhe shtabin zgjedhor të Lëvizjes Vetëvendosje kemi nisur takimet për ta vendosur ekipin e ri, i cili do të jetë me njerëz profesionistë dhe me integritetë. Unë si kryetar i ri i Podujevës do të jem kryetar i të gjithë qytetarëve të komunës pa diskriminuar askënd, si edhe do të raportoj vazhdimisht në Kuvendin komunal për punët dhe projektet që presim t’i realizojmë”, ka thënë ai.

Bulliqi ka shtuar se do të jetë bashkëpunues me Kuvendin Komunal, teksa tregon se cila do të jetë puna e tij e parë që do ta bëjë si kryetar.

“Do të kem bashkëpunim të ngushtë me kuvendin komunal dhe do të ofrojë transparencë të plotë para kuvendit dhe qytetarëve. Për shkak të situatës që jemi me pandeminë Covid-19, puna ime e parë do të jetë të furnizojmë Qendrat e Mjekësisë Familjare me barna dhe materiale laboratorike dhe të përmirësojmë kushtet e tyre për t’i trajtuar pacientët e infektuar. Do të angazhohem bashkë me ekipin tim për një administratë funksionale që është afër qytetarëve për t’i trajtuar hallet dhe problemet e tyre, do të depolitizojmë arsimin, do të ndajmë subvencione transparente për bujq të vyer, do të ofrojmë shërbime shëndetësore cilësore e shumë punë të tjera në dobi të qytetarëve”.

Kujtojmë se Bulliqi arriti të fitonte pa balotazh, duke marrë 51.6 për qind të votave./Indeksonline