23:53 / E Martë, 05 Dhjetor 2017 / indeksADMonline

Bulliqi: Raporti është në favor të integritetit territorial të Kosovës

Kryetari i komisionit për shënjimin  dhe mirëmbajtjen e kufirit shtetëror, Shpejtim Bulliqi, ka mbrojtur punën e komisionit të vetë për demarkacionin me Malin e Zi, duke thënë se materialet që janë evidentuar në raport burojnë nga institucione zyrtare të periudhave të ndryshme kohore.

Në një intervistë për gazetën ‘Epoka e Re’, ai ka thënë se komisioni paraprak ka bërë lëshime të shumta.

Bulliqi ka pohuar se komisioni që drejton nuk kishte autorizim që t’i rekomandojë Qeverisë se si të veprojë me marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi.

“Ne e kemi plotësuar raportin me materiale të tjera faktografike që shkojnë në favor të integritetit territorial të Kosovës”, ka thënë ai.

Sipas tij, komisioni i ri vetëm e ka analizuar punën e komisionit paraprak duke e plotësuar raportin me materiale të tjera faktografike dhe kredibile të pakontestueshme.

Bulliqi i ka ftuar deputetët e Kuvendit të Kosovës që fillimisht ta lexojnë raportin e këtij komisioni dhe ta kritikojnë opinionin e tyre në bazë të fakteve të raportit të fundit.