22:18 / E Mërkurë, 09 Tetor 2019

Bunjaki: De Biasi hyri në dhomat e hotelit për ta bindur Celinën dhe Kryeziun që të luanin për Shqipërinë

Albert Bunjaki, ish përzgjedhësi i Kosovës ka treguar se Gianni De Biasi dhe asistenti i tij, Paolo Tramezzani gjatë ndeshjes vëllazërore Kosovë-Shqipëri që u luajt në Prishtinë më 2015 kishin tentuar që t’i bindin disa lojtarë që të luanin për Kombëtaren e Shqipërisë.

Kosova luajti një miqësore me Shqipërinë në nëntor të vitit 2015 në Prishtinë, ndeshje e cila mblodhi hiç më pak se 30 mijë shikues. Takimi përfundoi me rezultat të barabartë 2-2.

De Biasi së bashku Tramezzanin u kishin hyrë në dhoma të hotelit lojtarëve të Kosovës, saktësisht Hekuran Kryeziut dhe Bersant Celinës duke bërë përpjekje që t’i bindin ata që të luanin për Shqipërinë.

“Ne vendosëm të luajmë një ndeshje miqësore me Shqipërinë. Ka qenë nëntor 2015, një lojë vëllazërore, edhe ne ishim vendos në njëjtin hotel, por kjo mua nuk më ka pëlqyer”, ka thënë Bunjaki për Reporteri.net.

“Çka nuk më ka pëlqyer është se në mbrëmje ka pas aktivitete prej dy trajnerëve [De Biassi e Tramezani]. Kanë shkuar në dhoma te lojtarëve të Kosovës dhe janë munduar që me i bind lojtarët e Kosovës të shkojnë të luajnë për Shqipërinë”.

“Ajo nuk më ka pëlqyer se ne ishim ne fazën e krijimit të gurëve kryesorë për me i vendos që me kriju një Kombëtare, përderisa Shqipëria dmth jo që e kishte krijuar themelin, por e ndërtojë katin e parë, e me kualifikime për mendimin tim ishte kati i dytë”.

“Unë me i ndihmuar i ndihmojë edhe katin e tretë le ta qet, mirëpo meqenëse unë e kisha detyrë që me ndërtuar për mu ka qenë e rëndësishme që Bersant Celinën, Hekuran Kryeziun apo lojtarët që kanë qenë të asaj kohe”.

“Po, De Biassi ka tentuar me i bind që të shkojnë të luajnë për Shqipërinë edhe pse ne e kemi ditë që po pranohemi në UEFA e FIFA dhe kjo për mu ka qenë pak e rëndë”, përfundoi Bunjaki për këtë çështje.