15:07 / E Enjte, 18 Shkurt 2021 / OSH

Buzëkuqi nuk është i duhuri, si të trajtoni buzët e plasaritura me 4 produkte natyrale

Jemi në atë periudhë të vitit ku kujdesi për lëkurën nuk duhet të kufizohet vetëm tek blerja e produkteve kozmetike, të cilat shpeshherë nuk janë ato të duhurat apo kanë në përmbajtjen e tyre përbërës me veti kimike, por mbi të gjitha tek parandalimi dhe trajtimi në kohë i të gjitha problematikave të saj. Ulja e temperaturave dhe ekpozimi në të ftohtë për një kohë të gjatë, mungesa e trajtimit të duhur dhe konsumi i ushqimeve acide janë disa prej shkaqeve që çojnë në shfaqjen e buzëve të çara.

Ka shumë mënyra natyrale për të trajtuar buzët e plasaritura. Disa prej tyre mund t’i gjeni edhe në kuzhinën tuaj. Për të qetësuar dhe ushqyer buzët e plasaritura aplikoni direkt në to produkte të tilla si:

Aloe vera: Xheli në brendësi të gjethes së aloe verës përmban vitamina, minerale, antioksidantë dhe anti-inflamatorë të cilat qetësojnë dhe rihidratojnë lëkurën e dëmtuar.

Vaj kokosi: Ky vaj lufton inflamacionin dhe ka veti zbutëse e qetësuese për lëkurën.

Mjaltë: Duke qenë shumë ushqyes, mjalti është një trajtim shumë i mirë për buzët e thata. Ai përmban gjithashtu veti antibakteriale dhe antioksidante të cilat parandalojnë infeksionet që ndodhin kur buzët janë shumë të thata ose plasaritura.

Çaj jeshil: I pasur në antioksidantë dhe minerale, çaji jeshil gjithashtu përmban polifenole të cilat reduktojnë inflamacionin. Zhysni një bustinë çaj jeshil në ujtë ngrohtë dhe masazhojeni tek buzët për t’i zbutur dhe larguar lëkurën e tepërt të thatë. Kjo teknikë është më e butë se sa eksfoljimi i zakonshëm.