11:02 / E Shtunë, 23 Nëntor 2019 / indeksADMonline

Bylbyl Sokoli: Kosova s’ka kapacitet për stadium me 30 mijë ulëse

Ndërtimi i Stadiumit Kombëtar të Kosovës në Korreticë të Drenasit e jo në Bërrnicë të Prishtinës ishte kritikuar nga shumë persona, të cilët akuzonin se ky vendim ishte bërë me prapavijë politike.

Së fundi u përfol edhe për mundësinë që të ndërrohet lokacioni i këtij stadiumi sërish. Ndaj këtyre fjalëve reagoi të mërkurën Ministria e Sportit, Kulturës, Rinisë dhe Sportit, që përmes një reagimi këshilloi të mos bëhej kjo gjë.

Edhe trajnerët Bylbyl Sokoli dhe Gani Sejdiu janë të pajtimit se stadiumi i Kosovës nuk duhet të zhvendoset sërish, pasi që tashmë është marrë vendimi dhe janë bërë testet e nevojshme deri më tani.

Që të dy trajnerët pajtohen se Kosova s’pati nevojë ta ndërtojë një stadium të tillë të madh, por të merret me rinovimin e stadiumeve aktual dhe me ndërtimin e stadiumeve më të vegjël nëpër komuna tjera.

“Unë mendoj që Kosova më tepër ka nevojë të ndërtojë stadiume nëpër qytete, ku mesatarisht duhet të kenë deri në gjashtë mijë ulëse. Të gjitha qendrat kanë nevojë për stadiume, nëse dëshirojmë ta zhvillojmë futbollin”, ka thënë Sokoli në emisionin sportiv “Favorit” në T7.

“T’i investosh 60-70 milionë euro për t’i zhvilluar katër ndeshje në vit, kjo është kosto shumë e madhe. Mirëmbajtja e atij stadiumi do të jetë shumë e kushtueshme”.

“Ne jemi 2 milionë banorë dhe s’kemi nevojë për stadium me 30 mijë ulëse. Duhet të jemi më racional, s’ndërtohet stadiumi në bazë të sa kishte kërkesa për bileta”.

“Meqenëse tashmë është marrë vendimi, mendoj se nuk duhet të ndryshohet lokacioni përsëri, pasi që tashmë janë bërë përgatitjet dhe janë shpenzuar rreth 1 milion euro për atë projekt”.