14:23 / E Hënë, 07 Shtator 2020 / indeksADMonline

Bytyçi, PDK: Koalicioni LDK-AAK që shpifte ndaj PDK-së, tani po bën tradhti kombëtare përmes koncesioneve

Zëdhënësi i PDK-së, Avni Bytyçi, ka kritikuar ashpër krerët e LDK-së dhe AAK-së, duke e cilësuar veprimin skandaloz të kryeministrit Avdullah Hoti dhe Ramush Haradinaj që Ujmani të shqyrtohet si çështje e pazgjidhur me Serbinë.

Bytyçi tha se ky veprim i Hotit e Haradinajt është kundërkushtetues, “akt i qartë tradhtie ndaj karakterit unitar të shtetit të Kosovës”.

Deklarata e plotë e Avni Bytyçit, në Facebook:

Partia Demokratike e Kosovës, është akuzuar për një kohë të gjatë nga LDK-ja, AAK-ja dhe Lëvizja Vetëvendosje për cenimin e tërësisë territoriale dhe kompromise në dëm të Kosovës.

Për një dekadë me radhë, shumë gënjeshtra ia kanë veshur PDK-së dhe lidershipit të saj për këtë.

Mirëpo e vërteta e pa kontestueshme e faktike, është se PDK-ja, kurrë nuk ka vendosur nënshkrim në ndonjë dokument në çfarëdo formati që ka cenuar Kosovën, integritetin dhe sovranitetin e saj.

Veprimi skandaloz i kryeministrit Hoti dhe z. Haradinaj që Ujmani të shqyrtohet si çështje e pazgjidhur me Serbinë, është kundërkushtetues, akt i qartë tradhtie ndaj karakterit unitar të shtetit të Kosovës.

Qeveria e Kosovës nën udhëheqjen e PDK-se ka bërë dialog me Serbinë, por, ky dialog i ka sjell mbi 100 njohje ndërkombëtare Kosovës, ka mundësuar formimin e Ushtrisë së Kosovës dhe mbi të gjitha e ka fuqizuar subjektivitetin e saj ndërkombëtar.

Të gjitha temat që i ka mbyllur PDK-ja në emër të Kosovës, sot në nivelin teknik po rihapen nga LDK-ja dhe AAK-ja në dialogun e tyre teknik në Bruksel me Vuçiqin.