12:17 / E Enjte, 18 Prill 2019 / indeksADMonline

Bytyqi: Interesimi i nxënësve kah shkollat profesionale është lajm i mirë për vendin

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, mori pjesë në Konferencën e tretë kombëtare “Arsimi dhe aftësimi profesional, shtyllë e zhvillimit ekonomik të vendit”, ku u prezantuan të arriturat e arsimit dhe aftësimit profesional dhe arsimit për të rritur në shërbim të zhvillimit ekonomik.

Në Konferencë gjithashtu u prezantuan 18 udhëzues të përgatitur nga ekspertë të fushave të ndryshme, të cilët do të jenë në shërbim të shkollave dhe nxënësve, si dhe u diskutua për bashkëpunimin me bartësit relevant, në realizimin e aktiviteteve të AAP-së dhe projektet për reformimin e sistemit të arsimit profesional në Kosovë.

Bytyqi me këtë rast theksoi se, ekonomia e vendit varet nga cilësia e sistemit të arsimimit të të rinjve në shkolla, në veçanti në shkollat profesionale.

Sipas tij, vëmendje e veçantë duhet ti kushtohet ngritjes së standardeve të shkollave profesionale, pasi që tashmë është një kërkesë e vazhdueshme e të rinjve tanë për tu orientuar në këto shkolla.

Bytyqi vlerësoi se, MAShT duke e konsideruar shumë të rëndësishëm zhvillimin e arsimit profesional, ka zhvilluar dhe vazhdon të investoj në zhvillimin e infrastrukturës ligjore, e cila është në funksion të ngritjes së cilësisë në arsim.

“Vendi ynë me përqindje të lartë të rinisë konsiderohet si burim i potencialeve për punë dhe perspektivë në të ardhmen”, u shpreh ministri, cili foli edhe për nevojën që vendi ynë të ketë të rinj të cilët mund të jenë ndërmarrës të suksesshëm”, tha Bytyqi.

Ministri Bytyqi po ashtu foli edhe për hartimin e programit të shkollimit për profesionin- Këshilltar i karrierës, me diplomë të njohur në 74 vende të botës, ku grupi i parë i këtyre studentëve në Prishtinë dhe Prizren është në përfundim të shkollimit.